Aktualitet Vasili ‘kyç gojën’ pas daljes nga SPAK: Shkoni pyesni ata

Vasili ‘kyç gojën’ pas daljes nga SPAK: Shkoni pyesni ata

Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, njëherazi dhe nënkryetar i kësaj force politike, ka zgjedhur të mos japë detaje mbi arsyen pse u thirr në Prokurorinë e Posaçme këtë të premte.

Pas daljes nga SPAK, Vasili deklaroi vetëm se u mor në pyetje si person në dijeni, por nuk dha detaje se mbi çështjen që ishte pyetur. Nënkryetari i PL iu drejtua gazetarëve se nëse duan informacion, pyetjet të mos ia drejtojnë atij por organit të akuzës.

“Për çështjen që kishin interes ata. Mund të shkoni t’i pyesni vetë. U pyeta si person në dijeni, për çështjet që kishin interes ata”, tha Vasili.

Vasili është thirrur në SPAK, në kuadër të hetimeve që po kryhen nga struktura antikorrupsion për lobimin e ish Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Prokuroria e Posaçme ka marrë në pyetje më herët dhe ish-deputetin e Lëvizjes Socialiste për Integrim Endrit Braimllari në lidhje me lobimin në Amerikë të subjektit politik që ai përfaqëson.

SPAK ka nisur hetimet pas kallëzimit nga ish-deputeti Halit Valeri, ku pretendohet se ish-kryetari i LSI-së, Ilir Meta ka paguar 700 mijë dollarë për të dalë në foto me presidentin e asaj kohe, Donald Trump.

Më herët Prokuroria e Posaçme ka kërkuar informacion nëpërmjet letër-porosive në Amerikë në lidhje me pagesat e bëra nga Lëvizja Socialiste për Integrim në SHBA.