Kulturë Petro Nini i filmit

Petro Nini i filmit

Ishin vitet ’80 kur Vladimir Prifti vendosi të realizonte një film mbi jetën e Petro Nini Luarasit. I njohur me jetën e Rilindasit të shquar në Ersekë, gjatë kohës kur punonte atje si regjisor i Shtëpisë së Kulturës, Prifti, i cili në 1984-ën ishte regjisor në kinostudion “Shqipëria e re” kërkoi ndihmën e Naum Priftit për skenarin e këtij filmi.

“Pas filmit “Era e ngrohtë e thellësive”, Ladi përgatiti sinopsin për jetën e mësuesit patriot, Petro Nini Luarasi. Ai kërkoi të konsultohej me mua, më saktë, të bashkëpunoja me të për realizimin e skenarit. Ai mendonte se unë, si kolonjar, e njihja më mirë se shkrimtarët e tjerë figurën e Rilindasit të shquar”, kujton Naum Prifti, në një shkrim të vitit 2002.

Vetë regjisori sjell ndërmend idenë fillestare që e nxiti të krijojë këtë film.

Ai kujton se si pas miratimit të sinopsit nga Këshilli Artistik i Kinostudios, bashkë me Naum Priftin u larguan nga kryeqyteti për t’iu kushtuar tërësisht skenarit.

Për Naum Priftin kjo ishte edhe një mënyrë për të mënjanuar ngacmimet e rutinës së përditshme, forma politike, mbledhje urgjente etj.

“Zgjodhëm Hotel Krujën në plazhin e Durrësit. Dimër, dhomat të ftohta, ushqimi i varfër. Me vështirësi mundëm të gjenim një reflektor 1000 vatësh, por ai jo vetëm nuk arrinte ta ngrohte dhomën, por as nuk e thyente të ftohtit. Bisedonim në dhomë, me palltot e mëdha krahëve, ose shkonim bregut të detit. Nja tri-katër ditë u rropatëm për platformën e skenarit, për të gjetur fillin e ngjarjeve. Ishte e vështirë të përmblidhnim tridhjetë vjet jetë dhe aktivitet në një film 90 minutësh. Idenë dhe temën e kishim të qartë, por duheshin mishëruar nëpërmjet një subjekti jetësor. Provat e ditëve të para ishin zhgarravitje pa frymëzim, prandaj të nesërmen i skartoja pa më ardhur keq. Më në fund më shkrepi ideja ta ndërtoja skenarin mbi pesë episodet më sinjifikative nga jeta e Petro Nini Luarasit: gjyqi për Abetaren, arrestimi, çkishërimi, pusia dhe helmimi”, vëren Prifti.

Pas kësaj pune fillestare për ndërtimin e platformës duket se struktura dhe arkitektura e filmit u konkretizua.

Çdo episod niste si thurje komploti kundër P.N. Luarasit, në një dhomë të katit të dytë të një kafeneje, ku luhej kumar. Kajmekami turk, doktori grek, një bej shqiptar dhe një tregtar i pasur ishin përbetues të vendosur. Në film kjo strukturë pësoi njëfarë shkrirjeje, ndoshta, për të mos e copëzuar subjektin, por edhe të ndara ato kishin logjikën e tyre.”

Por ndërkohë që filmi dhe struktura e tij u formësua mbetej ende shumë punë për t’u bërë.  Nuk ishin gjetur as vendxhirimet dhe as aktorët që do të mishëronin Petro Nini Luarasin dhe figurat e tjera.

Ndërsa bëri një kërkim në zonën e Ersekës, Devollit dhe të Korçës, regjisori Prifti vlerësoi si më të përshtatshëm për xhirim fshatin Sinicë të Devollit, për të cilin edhe skenaristi Naum Prifti mendonte se ishte identike me fshatrat e Kolonjës, nga ndërtimi dhe nga forma, me shtëpi e çati prej guri dhe shërbeu për xhirimin e mjediseve të jashtme.

“Me shqetësime të përbashkëta jetuan gjatë një muaji fshatarët e Sinicës së Korçës dhe grupi i xhirimit të filmit “Kush vdes në këmbë”. Një pjesë e grupit u sistemua në shkollën e fshatit (një nga shkollat më të vjetra të Devollit, aty vinin e mësonin fëmijët e Qytezës, të Dardhës dhe të Arzës), kurse pjesa tjetër jetoi në shtëpitë bujare të sinicarëve.

Si shtëpi e Petro Nini Luarasit është zgjedhur shtëpia e Urani Themelit. Një shtëpi guri, dykatëshe, shtëpi mali. Mirëpo edhe ajo duhej transformuar. Duhej prishur oborri, i mbjellë me lule dhe zarzavate… Në mes të oborrit ishte mbjellë edhe një fidan molle… Oborri u prish i tëri dhe u shtrua me plloça”. Kështu kujton shkrimtari Kiço Blushi, i cili ishte afër grupit të xhirimit gjatë realizimit të filmit.

“Kur u sëmurën disa aktorë, disa gra sollën një ilaç popullor, që e quanin “lule gjize”.  Një ditë, pas xhirimit, Sandër Prosi, i veshur si dhespot (roli i tij në këtë film) ishte larguar në një skërkë për të ripërtypur rolin siç tha dhe ishte rrëzuar… Fshatarët u mërzitën shumë, u shqetësuan dhe bënë çmos që ta çonin në Korçë… Megjithatë, Sandri u kthye në fshat për të vazhduar rolin që kishte lënë në mes”, vijon Blushi në kujtimet e tij për filmin, të shkruara në shkurt të 2002-it.

Transformimi i Pazarit të Korçës ishte një nga punët më kolosale që është bërë për këtë film.

RRETH TRE MILIONË EURO PËR TRANSFORMIMIN E PAZARIT

Edhe Naum Prifti nënvizon në kujtimet e tij se filmi kishte shumë vende veprimi, që duheshin përpunuar.

“Pazari i Korçës, pothuajse u transformua krejtësisht. Tregu, që ndodhej në të majtë të pazarit, u kthye në kishë, në një objekt kulti madhështor. Në mes të sheshit u vendos një shatërvan (ku mbështetet Petroja pas helmimit) me dekoracione të kohës.

Në një nga sallat e hanit të vjetër, që ndodhet në të djathtë të hyrjes së pazarit, u ndërtua salla e gjyqit. U vendosën karakolle, tabela dhe rekuizitë e kohës. Ladi xhironte në Sinicë dhe vraponte të shihte ndërtimin e dekoreve në Korçë…Për një talike (karrocë me katër rrota) drejtori i filmit kushedi sa herë shkoi në ndërmarrjen e Artizanatit në Korçë”

Ndërkohë, një tjetër dekor me të tilla përmasa ndërtohej edhe në atelienë e Kinostudios.

Naum Prifti kujton se Alush Shima, skenografi i filmit, kishte bërë një zgjidhje të shkëlqyer, duke e ndërtuar këtë dekor me dy kate. “Në të poshtmin ishte dyqani i tregtarit, ku helmatiset Petro Nini, sipër ishte dhoma ku mblidheshin dhe luanin bixhoz kundërshtarët. Marrëdhënia e tyre ishte zgjidhur nëpërmjet një vetrate xhami me ngjyra… Shtoi këtyre që thashë edhe një karrocë me tendë,që duhej për arrestimin e Petros, si dhe rregullimin e kishës së Vithkuqit. Një punë kolosale…”

Puna nuk ishte e lehtë as për aktorët në sheshin e xhirimit.

PËRZGJEDHJA E SANDËR PROSIT

Skenaristi Naum Prifti kujton se skenën kur e sillnin Petron të vdekur në shtëpi dhe e shoqja, Lina, binte mbi trupin me kuje, rol i interpretuar nga aktorja Hajrie Rondo, regjisori Vladimir Prifti e përsëriti 12 herë, për të arritur efektin që donte.

Për të, filmi “Kush vdes në këmbë” ruan tiparet e filmave klasikë dhe rishihet me kënaqësi, ndërsa “Finalja me këngën folklorikem që inspiroi Vladimiri, e jep qartë mesazhin e filmit se vdekja e mësuesit patriot, zgjoi dhe forcoi ndërgjegjen kombëtare ndër shqiptarët e kohës së tij, nga prag të pavarësisë…”.

NJË FILM HISTORIK PËRBALLË VLERËSIMEVE

Edhe për kritikun e artit Alfred Uçi, në një shkrim që daton në shkurt të vitit 2000, ky është një film fatlum, që ka mbijetuar kohës, duke përballuar rrjedhën e ndryshimeve, të kthesave dhe të zigzageve. Sipas tij, filmi “Kush vdes në këmbë” është një film i mirëfilltë historik, sepse boshti i tij është nxjerrë nga biografia e vërtetë e P.N. Luarasit.”

“Dihet se disa nga autorët tanë, për të dalë përtej hapësirës mjaft të ngushtë të krijimit të veprave, që i kushtoheshin bashkëkohësisë, e ndienin se në filmat historikë, madje të së kaluarës së largët, mund të krijonin më lirshëm, mund të shprehnin ca të vërteta mbi jetën, herë drejtpërdrejt e herë të tjera, tërthorazi, nga ato që nuk lejoheshin brenda tematikës aktuale”.

Ky vlerësim i Uçit mund të merret edhe si një lloj qëndrimi edhe për atë se sa filmat e krijuar në periudhën e komunizmit mund të cilësohen mirëfilli si krijime artistike. Ai thekson se “Nuk janë të paktë ata filma, që, për shkaqet e mirënjohura nga të gjithë, kanë qenë të mbingarkuar me politizime e ideologjizime vulgare dhe për këtë arsye nuk pëlqehen me të drejtë nga shikuesit e sotëm; por ka edhe mjaft filma që pëlqehen jo vetëm për mjeshtërinë artistike të autorëve, regjisorëve, aktorëve, skenaristëve e mjeshtrave të tjerë, që kanë ndihmuar në realizimin e tyre, por edhe për përmbajtjen e tyre dhe për synimin ideor estetik”. Edhe filmi i regjisorit Prifti, “Kush vdes në këmbë” është një film historik, që pavarësisht kohës kur i vendos ngjarjet arrin të komunikojë me publikun edhe në ditët e sotme.