Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku në një intervistë për Report Tv sqaroi situatën që po ndodh aktualisht në Kullën e Kontrollit të Rinas që merret me monitorimin e hapësirës dhe trafiku ajror të Shqipërisë. Balluku tha se pezullimi i punës së kontrollorëve të trafikut ajror është një grusht shteti dhe se ka prapavijë politike, pasi disa persona që ndodhen aty janë të lidhur aktualisht me fushatën zgjedhore.
Balluku tha se pas kësaj greve qëndron Sali Berisha, i cili nxit këtë me qëllimin e vetëm që të mos lejojë zhvillimin e stërvitjes së NATO-s “Defender–Europe 21”, të planifikuar më 26 prill.
Balluku tha se kjo grevë nuk do të penalizojë as marrëdhëniet e Shqipërisë me aleatët, pasi stërvitja ushtarake do të zhvillohet ashtu siç është parashikuar dhe se qeveria ka një plan që do të ndihmojë në zgjidhjen e shpejtë të situatës dhe rinisjen e fluturimeve. Për këtë grevë, ministrja Balluku tha se janë kallëzuar në prokurori organizatorët e saj që do të mbajnë përgjegjësi para ligjit për këtë dëm dhe penalizim që ata i sollën qytetarëve, shtetit dhe imazhit të vendit, duke tentuar të kërcënojnë me tekat dhe kërkesat absurde të një elite që dhe në kohë pandemia marrin një pagë prej 2490 dollarësh në muaj për person.
Sipas burimeve për Report TV janë kallëzuar në prokurori 3 organizatorët e kësaj greve, që janë kreu i sindikatës së Pavarur të Kontrollit të Transportit Ajror dhe dy kontrollorë të tjerë, të cilët më datë 12 prill do të japin edhe argumentet se pse kanë braktisur detyrën. Duke qenë se Kulla e Kontrollit është një ndërtesë e sigurisë së lartë, Balluku sqaroi se ushtria ka shkuar atje për të mbikëqyrur të gjithë situatën dhe ndërtesën.
Shoqërohet në polici një prej kontrollorëve të trafikut ajror
Policia ka shoqëruar sonte një nga kontrollorët e trafikut ajror. Sipas dëshmive të kontrollorëve të tjerë mësohet se është shoqëruar në polici kontrollori Muhni Mezini.
Mezini u përfol se si personi i stresuar që kishte marrë para borxh te familjarët për të përballuar jetesën. Ai është thirrur në polici pasi ka përfunduar turnin dhe është një nga 5 kontrollorët që ka shprehur paaftësinë për të kryer detyrën për shkak të stresit.