Prefekti i Kukësit Granit Gjana është pezulluar nga detyra. Gjana u pezullua pas nisjes së hetimeve nga SPAK për veprën penale “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në kohën kur Gjana ishte nënkryetar i Bashkisë Kukës.
Siç bëhet e ditur, dyshohet se në cilësinë e nënkryetarit të Bashkisë Kukës por me kompetencat e deleguara si titullar i Autoritetit Kontraktor Bashkia Kukës, Gjana ka penguar një subjekt të kualifikohet në dy procedurat e një tenderi për blerje karburanti.
“Me mosveprimet e tij, e konkretisht mospaisjen në kohën e duhur me Autorizimin për tregtimin e lëndëve djegëse, edhe pse subjekti “U. C” shpk, i kishte kryer pagesat e nevojshme dhe dorëzuar dokumentacionin pranë organit shtetëror sipas ligjit, e ka penguar OE-në të kualifikohet në dy procedurat e tenderit me objekt “Blerje karburanti”, në vlerën 21.000.0000 lekë, të organizuara nga Autoriteti Kontraktor Bashkia Kukës përgjatë vitit 2023. Për pasojë shtetasi nën hetim G. Gj. ka dëmtuar interesat e ligjshëm të personit juridik “U. C.” Shpk, duke e penguar këtë subjekt për t’u kualifikuar në procedurën e prokurimit të mësipërm”, njofton SPAK.
Për pasojë, struktura e posaçme ka kërkuar që Granit Gjana të ndalohet plotësisht nga ushtrimi i detyrës pranë Prefekturës Kukës.
Masa është ekzekutuar mëngjesin e së mërkurës nga hetuesit e BKH-së.