Është pezulluar nga Detyra Shefi i Komisariatit nr. 1 Në Tiranë, Elton Alushi, shefi i Seksionit të Policimit në Komunitet në këtë komisariat, Nefail Zyka dhe patrulla e Policisë që mbulon territorin ku bën pjesë zona e “Rrugës së Elbasanit”.
Shkak për këtë është bërë një ndërtim pa leje tek “Rruga e Elbasanit”, pranë Parkut të Liqenit Artificial.
Sipas një njoftimi të policisë, në pranga ka përfunduar Shiqere Hakaj, e akuzuar për ndërtim pa lejen e organeve kopetente në një sipërfaqe ndërtimi (lavazh) prej 150 m2.
Njoftimi i policisë:
Ndërtonte pa leje ndërtimi, arrestohet nga Policia.
Procedohen penalisht dy Inspektorë të Kontrollit në terren të Policisë Bashkiake Tiranë.
Përjashtohet nga Policia Nd/Specialisti i Policimit në Komunitet që mbulon zonën ku kryhej ndërtimi pa leje.
Si dhe pezullohen nga detyra Shefi i Komisariatit Nr 1, Shefi i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin nr 1, dhe patrulla e Policisë që mbulonte atë territor ku kryhej ndërtimi.
Më datë 21.08.2017, nga ana e Sektorit për Krimin Ekonomiko Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë arrestimi në flagrancë e shtetases:
Shiqere Hakaj, 51 vjeçe, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë, aktivitet privat.
Si dhe u proceduan shtetasit;
- G, 45 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë. Me detyrë specialist pranë Inspektoriati Mbrojtjes Territorit, Bashkia Tiranë.
- P., 29 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, rruga “Sabri Tefiku”, me detyrë Inspektor I Kontrollit në terren i Policisë Bashkiake Tiranë.
Proçedimi i këtyre shtetasve u bë për veprën penale “Ndërtim pa leje, shpërdorim detyre”, pasi sot më datë .21.08.2017, në vendin e quajtur “Rruga e Elbasanit”, pranë Parkut të Liqenit Artificial, shtetasja Shiqere Hakaj ka kryer ndërtim pa lejen e organeve kopetente në një sipërfaqe ndërtimi (lavazh) prej 150 m2.
Sa më sipër nga ana e Inspektorëve të Inspektoriatit Mbrojtjes së Territorit, edhe pse morën dijeni për këtë ndërtim pa leje e kanë lejuar duke sjellë pasoja ndaj interesave të ligjshme të shtetasve, në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Materialet proçeduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur, për veprën penale “Ndërtim pa leje” dhe “Shpërdorim detyre”, prashikuar nga nenet 199/a dhe 248 e 25 i Kodit Penal.
Po në vijim të veprimeve në lidhje me këtë ndërtim pa leje, nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe Drejtoria e Standarteve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u morën masa administrative për punonjësit e policisë ;
– Përjashtim nga Policia i Nd/Specialistit të Policimit në Komunitet që mbulon zonën.
– Pezullimin nga detyra e Patrullës së Policisë që mbulon këtë sektor pranë Komisariatit të Policisë Nr.1.
– Pezullimin nga detyra e Shefit të Seksionit të Policimit në Komunitet pranë Komisariatit të Policisë Nr.1.
– Pezullimin nga detyra e Shefit të Komisariatit të Policisë Nr.1.
Po në lidhje me këtë vepër penale nga ana e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat janë kryer veprime proçeduriale penale dhe po vazhdojnë të kryhen veprime të tjera mbi dyshimet për implikim të punonjësve të policisë pranë Komisariatit të Policisë nr 1 Tiranë, të cilët kanë marrë djeni apo nuk kanë kryer detyrat funksionale sipas procedurave standarte të punës.