Përmes një letre dërguar qeverisë shqiptare përmes kryeministrit Edi Rama, biznesi fason i bashkuar në një grupim të vetëm kërkon pezullimin e menjëhershëm e më pas shfuqizimin e “Protokollit të Kuq mbi masat higjieno-sanitare COVID-19 për biznesin fason, si një protokoll jorealist dhe te pazbatueshëm në praktikë”.
“Protokolli i Kuq mbi masat Higjeno Sanitare COVID-19 për Biznesin Fason konsiderohet nga ne një protokoll i pamundur për t’u implementuar në ndërmarrjet tona, pasi nga njëra anë kushtet që janë fiksuar në të për ndërmarrjet fason janë kushte të parealizueshme teknikisht e të papërballueshme financiarisht, dhe nga ana tjetër është e pakuptimtë shtrëngesa e masave deri në absurd shumë më tepër se sa protokolli i mëparshëm, megjithëse vendi po shkon drejt lehtësimit të masave shtrënguese.
Zbatimi i këtij protokolli të paarsyeshëm në praktikë do të thotë as më shumë e as më pak mbyllje e plotë e ndërmarrjeve fason në Shqipëri”, thuhet në letër.
Fasonët kërkojnë zbatimin e protokollit ekzistues, i cilin sipas tyre është më se i mjaftueshëm dhe në të njëjtën kohë i inspektuar dhe i kontrolluar nga ISHP.
“Inspektimet dhe kontrollet e deritanishme nga ISHP në pothuajse të gjitha ndërmarrjet Fason si dhe Deklarata publike e Kreut të ISHP mbi rezultatin e tyre në terren për ndërmarrjet Fason, është një argument më tepër në favor të shfuqizimit të Protokollit të Kuq”, theksohet në letër.
Fasonët gjithashtu i kërkojnë qeverisë që të mbështesë nga “logjistike e financiare për sektorin e industrisë me material porositës (Fason), të cilët janë në vështirësi të jashtëzakonshme si pasojë e mbylljes së detyruar të veprimtarisë së tyre për shkak të situatës së fatkeqësisë natyrore në vend dhe pandemisë COVID-19 në Europë e më gjerë”.