Kompania e vaksinave Pfizer konfirmoi se shpërndarja e vaksinave do të ngadalësohet në fund të Janarit dhe fillim të Shkurtit. Ajo e justifikoi këtë me ndryshimin që duhet të pësojë procesi i prodhimit dhe për të rritur më pas ritmin gjatë javëve të ardhshme.
Pfizer tha se po punon për të prodhuar më shumë doza se sa parashikohej në fillim për të arritur objektivin e 2 miliardë vaksinave brenda vitit 2021. Kanë qenë të menjëhershme reagimet pas këtij vendimi. 6 vende evropiane thanë se ky ngadalësim i Pfizer është i papranueshëm.
Danimarka, Estonia, Finlanda, Letonia, Lituania dhe Suedia i kërkuan Komisionit Europian të bëjë transparencë. Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen tha se kishte kontaktuar menjëherë kompaninë nga e cila kishte marrë konfirmimin për të dorëzuar dozat e premtuara për unionin në 3 muajt e parë të vitit.
Procesin e vaksinimit e ka nisur këtë të shtunë edhe India, vendi që regjistron numrin e dytë në botë të të infektuarve pas Shteteve të Bashkuara. Qeveria indiane parashikon që të nisë një fushatë të gjerë duke vaksinuar 1.3 miliardë njerëz.
India po përdor dy vaksina të ndryshme. Covishield është emri lokal i vaksinës së prodhuar nga Oksfordi dhe AstraZeneca ne Britani si dhe Covaxin një prodhim vendas për të cilin ka pasur mjaft dyshime për mënyrën si u aprovua edhe pse autoritetet kanë garantuar se është i sigurt.