Në pikën kufitare në Qafë Thanë, ku nga sot hyn në fuqi programi i ri kufitar “Një ndalesë – Një kontroll” mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama dhe homologu maqedonas Dimitar Kovacevski.
Kryeministri Rama thotë se ky është një moment i rëndësishëm pasi u lehtësohet kalimi qytetarëve në këtë pikë kufitare dhe i hapet një rrugë e mëtejshme zhvillimeve tregtare dhe të turizmit.
Rama shpreson që të dyja ministritë e Brendshme do të kalojnë në një tjetër nivel në këtë periudhë piku të sezonit për të bërë me kontroll të rastësishëm me makina të targuara Republika e Shqipërisë dhe Republika e Maqedonisë së Veriut që të lehtësohet trafiku.
“Sot është një moment i rëndësishëm për të gjithë ata që kalojnë nga kjo pikë kufitare, qofshin individë apo kompani që shkëmbejnë mes 2 vendeve. Është një moment i rëndësishëm sepse më në fund ua lehtësojmë kalimin në këtë pikë dhe i hapim një shtysë të mëtejshme jo vetëm shkëmbimeve tregtare, por edhe zhvillimit të marrëdhënieve tona në tërësi pa harruar dhe zhvillimin e turizmit. Shqipëria po përjeton një impakt të jashtëzakonshëm të transformimit të imazhit të saj dhe si asnjë vit më parë, turistët dhe numri i investitorëve të mëdhenj të interesuar për të investuar në turizëm në Shqipëri së bashku me shqiptarët e diasporës, është realisht tejet inkurajues, por natyrisht që zhvillimi i mëtejshëm dhe rritja e dëshiruar e industrisë së turizmit, ashtu sikundër edhe e sektorëve të tjerë të prodhimit, kërkojnë një qasje komplekse, transformimi në funksion të kalimit të kufijve.
Ka shumë pengesa që vijnë nga inercia e së shkuarës dhe nga paragjykimi për liberalizmin e lëvizjes. Në fakt, liberalizimi i lëvizjes sjell më shumë transparencë dhe sjell më pak rrrezik për praktika të këqija në trajtimin e qytetarëve dhe patjetër sjell dhe më shumë rritje të përgjegjësisë për të gjitha agjencitë ligjzbatuese në pikat kufitare. Dua të shpresoj që të dyja ministritë e Brendshme do të kalojnë në një tjetër nivel në këtë periudhë piku të sezonit për të bërë kalimin pa kontroll apo me saktë me kontroll të rastësishëm me makina të targuara Republika e Shqipërisë dhe Republika e Maqedonisë së Veriut që të lehtësohet trafiku. Ky është një hap i rëndësishëm, por qëllimi final është unfikimi i doganave që do të vijë më integrimin e plotë të Shqipërisë dhe RMV në BE, por ne nuk kemi pse presim BE për të avancuar këtë ide. Ta bëjmë hapësirën mes nesh një hapësirë që bashkëjetohet apo bashkëveprohet në BE pa qenë në BE”, tha Rama.
Kryeministri Rama foli dhe për projektet të cilat lidhin vendet e rajonit.
“Korridori 8, një ëndërr shumë e vjetër të cilës i ka ardhur dita që të realizohet dhe në të dy anët e kufirit po punohet për hapjen e Korridorit 8. Kemi bërë shumë përpjekje për rizgjimin e këtij projekti si pjesë e një të shkuare të ish-rrugës Egnatia dhe si pjesë e rrjetit evropian të infrastrukturës. Kjo na jep një tjetër energji pozitive dhe një tjetër burim mbështetje nga BE. Presim dhe projektin që lidh Bunën përmes urës së re me Balldrenit dhe kështu do të kemi një korridor të standardeve evropian që do të lidhë veriun me jugun e Shqipërisë dhe do të mbarojë tortura e atyre që vijnë nga larg dhe që duhet të mbërrijnë në Tiranë përmes një shtegu që është bërë torturues. Më e mira është e gjitha përpara për Shqipërinë dhe RMV. Jam i bindur që më herët se sa vonë do të rikthehemi për të parë të rindërtuar tërësisht këtë pikë sipas standardeve të BE-së që po e realizojmë me financimin e Bankës Botërore”.
Kovacevski: Në Ballkan nuk na duhen kufij
Edhe kryeministri i RMV, Dimitar Kovacevski mbajti një fjalim ku shpjegoi se në çfarë do të konsistojë ky program dhe cilat janë pikat e forta të tij.
Kovacevski u shpreh se veç kësaj, do të ndërtohet edhe Korridori 8 brenda 5 vitesh duke mundësuar infrastrukturën më të mirë në Ballkan. Sipas tij, në këtë të fundit, nuk është e nevojshme të ketë kufij.
“Sot jemi këtu bashkë në kalimin kufitar Qafë-Thanë ku shënojmë fillimin e “One Stop Shop”-it, punë e dy Ministrive të Brendshme dhe doganave. Sot mundësojmë qarkullimin e shpejtë të qytetarëve tanë mes dy vendeve dhe qarkullimit më të shpejtë të kompanive që transportojnë produkte në kalimin kufitar më të madh mes dy shteteve. Mundësimi i qarkullimit të njerëzve dhe kapitalit njëkohësisht rrit lidhjet nëpërmjet njerëzve, komunikimit mes njerëzve, mes dy shteteve, diçka që gjysmë shekulli mungonte mes Shqipërisë dhe Maqedonisë të asaj kohe, por kjo tashmë është diçka e kaluar. Sot ne jemi shembull se si duhet të sillen dy vende fqinje. Me këtë lehtësohet puna e 11 kompanive të vendit tona me orientim të eksportit dhe tregtisë me vendet e tjera kështu mundësojmë qasje më të lehtë në portet e Shqipërisë, vendet turistike të Shqipërisë por edhe në vendet turistike të RMV në disa kiilometra nga kalimi kufitar. Por nuk mbetemi këtu.
Sot shënojmë fillimin e “One Stop Shop” mes dy kalimeve kufitare por bëhet edhe Korridori 8 në anën e Shqipërisë dhe anën e RMV ku për 5 vite do të bëhet realitet. Nëse karakteristikë e infrastrukturës mes Shqipërisë e RMV ishte se ajo nuk ekzistonte, tani për pesë vite do të kemi infrastrukturën më të mirë në Ballkan. E dyta, së bashku me Shqipërinë, Bullgarinë dhe Italinë arritëm që Korridorin 8 ta vendosim në hartën e korridoreve trans-europiane që do të thotë se mund të ketë financim nga BE dhe punojmë në projektet që kanë të bëjnë me ndërtimin e hekurudhës mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, sidomos Kërçova dhe Liri.
Kjo do të mundësojë realizimin e asaj që kemi dakorduar miqësisht, porti i ri në Durrës, port në Strugë që do të ketë efekte pozitive ndaj kompanive të Maqedonisë. Nëse sot porti më i afërt që duhet të dërgoni anijen ose produktet që i blini jashtë vendit është në Pire, kjo do të thotë se mjetet financiare do të mbeten diku në bankë dhe nuk do të mund t’i shfrytëzoni, ndërsa produktet nuk do t’i keni. Duke mundësuar Korridorin 8 dhe portin e Strugës dhe investime të mëdha që i bën Shqipëria, anijet do të arrijnë në Strugë ku deri më tani askush nuk e mendonte. Kjo do të thotë likuiditet më të mirë financiar të kompanive, por edhe mundësi që të bëhen tërheqëse për kompanitë e Europës qendrore që do të bëjnë tregti me kompanitë tona.
Siç tha edhe Grubi, unë jam një prej atyre që e përsëris se në Ballkan nuk na duhen kufij. Kufij nuk ka në Europë, nuk ka nevojë të ketë në Ballkan prandaj edhe raportet politike janë në nivelin më të lartë. Nëse i shikoni sot marrëdhëniet politike të RMV dhe Shqipërisë, është në nivelin më të lartë”, tha Kovacevski që vlerësoi edhe nismën “Ballkani i Hapur”, ku nga shkëmbimet tregtare RMV-Shqipëri janë rritur me 40% ndërsa RMV-Serbi me 50%.