Filmi “Pikë Uji” është përzgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë në garën për Oscar, në kategorinë e filmave të huaj, njoftoi Qendra Kombëtare e Kinematografisë zgjedhe filmin shqiptar përfaqësues në Oscar.
“Më datë 17.09.2024, ora 10:00, në ambientet e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, u mblodh Komisioni Përzgjedhës i filmit që do të përfaqësojë Shqipërinë në “Academy of Motion Pictures, Arts and Sciences” 2025”, njoftoi Qendra.
Pas thirrjes së hapur nga QKK, aplikoi vetëm shtëpia kinematografike ERA FILM me filmin artistik me metrazh të gjatë “Pikë Uji”, me re regjia Robert Budina.
“Komisioni votoi unanimisht pro kandidaturën e paraqitur nga shtëpia kinematografike ERA FILM për filmin “Pikë Uji” si përfaqësues i Shqipërisë, në kategorinë “International Feature Film” në edicionin e 97-të të Çmimeve OSCAR”.
Producentja e filmit, Sabina Kodra shprehet e lumtur për këtë vendim të QKK dhe fton publikun në kinema për t’u njohur me produksionin. “Ky është një moment historik! Për të 3-tën herë, një prodhim i Erafilm do të përfaqësojë Shqipërinë në këtë garë prestigjioze! Kjo na nderon dhe njëkohësisht rrit përgjegjësinë tonë për të çuar emrin e kinematografisë shqiptare sa më lart në botë”, tha Kodra.
Filmi trajton historinë e një nëne që mëson se djali i saj ka kryer një përdhunim dhe zgjedhjen e vështirë për t’i besuar të birit, apo instinktit të saj femëror.