Aktualitet Piketonte dyqanet celulare, kapet hajduti “serial” me bluzë të kuqe në Tiranë

Piketonte dyqanet celulare, kapet hajduti “serial” me bluzë të kuqe në Tiranë

31-vjeçari Pieraldo Pelushi, hajduti “serial” me bluzë të kuqe që gjatë kësaj jave vodhi një dyqan dhe tentoi të grabiste një tjetër ka përfunduar në pranga. U desh puna hetimore e disa komisariateve në Tiranë, më konkretisht Komisariateve të Policisë nr. 2, nr. 3 dhe nr. 6 për zbardhjen e identitetit të tij.

Sipas uniformave blu, rezulton se i riu Pelushi është dënuar më parë për vepra penale në fushën e narkotikëve. Ai u kap dhe u arrestua në rrugën “Shefqet Musaraj”.

Pelushi vodhi me 11 tetor në një dyqan në “Myslym Shyri” rreth 300 mijë lekë të vjetra. Me një bluzë të ndezur në ngjyrë të kuqe, pantallona xhins dhe një kapele të zezë në kokë ai iu drejtua shitëses dhe dyshohet se nën kërcënimin e armës i vodhi paratë.

Por nuk u mjaftua me kaq. Një mbrëmje më vonë, në zonën e Kombinatit hyri në një kompani celulare. “Ju bëftë mirë”, ju tha punonjëseve që po konsumonin ushqim. Më pas nxori pistoletën duke kërkuar paratë.

Por njëra prej tyre duket se nuk e besoi që arma të ishte e vërtetë dhe i kërkoi të dalë nga dyqani. E kështu Pelushi doli duarbosh e si përfundim ra në prangat e policisë.