Pinoku mbush 140 vjeç. U publikua për herë të parë më 7 Korrik 1881 episodi i parë në Gazetën për Fëmijë në Itali, nga Carlo Collodi.
Romani “Aventurat e Pinokut”, është libri më i lexuar në botë, dhe një ndër përrallat që ka ndikuar më tepër në Tokë ndër breza. Dhe nuk është vetëm një përrallë për fëmijë, por përmban në vetvete aspekte psikologjike të thella, që nga marrëdhënia me prindin, deri tek vizioni më i përgjithshëm i historisë si një udhëtim i protagonistit në kërkim të humanitetit të tij.
Çdo personazh ka një karakter të veçantë dhe rol të rëndësishëm në jetën e kukullës prej druri, Pinokut. Bulkthi folës është zëri i ndërgjegjes, Fata e Kaltër simbolizon kontaktin me një figurë femërore, dhelpra dhe maçoku përfaqësojnë tundimet dhe Lucignolo personazhin e keq.
Gjenialiteti i Collodit ishte lidhja gënjeshtër-zgjatje e hundës, moral i cili është kthyer në kulturë në çdo vend të botës. Pra çdo fëmijë e di që po gënjeu, i rritet hunda.
Personazhi i dashur për të gjithë, pak mistrec, naiv por edhe shumë njerëzor, në fillim të publikimit kishte një fund të trishtë. Por kërkesat e shumta nga lexuesit, e detyruan shkrimtarin Carlo Collodi që të ndryshonte historinë dhe ta mbyllte atë me një fund të lumtur dhe për ta bërë këtë iu deshën 2 vjet.