Milani sfidon mungesat e shumta dhe vijon të fitojë dhe të ruajë kryesimin në kampionatin Italian, teksa të dielën triumfoi me shifrat 0-2 në transfertën ndaj Beneventos, ndonëse luajti për më tepër se një orë me 10 futbollistë.
Të mërkurën kuqezinjtë do të presin Juventusin në “San Siro” dhe mungesave të lojtarëve si Bennacer e Ibra, do t’u shtohet edhe ajo e Sandro Tonalit, që u ndëshkua me karton të kuq, por trajneri Pioli fërkon duart, pasi ka rikuperuar danezin Kjaer dhe do të ketë në dispozicion edhe Theo Hernandez.
Menjëherë pas suksesit me Beneventon, Pioli deklaroi se ka nisur të mendojë për sfidën e të mërkurës ndaj Juventusit, të cilën e quajti shumë të rëndësishme, por aspak vendimtare për ecurinë e sezonit.
“Tani të gjithë do të shkojmë të shohim ndeshjen e Juventusit, për ta përgatitur edhe më mirë. Do të jenë një sfidë mjaft e rëndësishme, mes dy skuadrave që po kalojnë një moment mjaft të mirë, por aspak vendimtare për ecurinë e sezonit. Ne duam t’i marrim ndeshjet me radhë dhe të nxjerrim më të mirën, por përballë do të kemi kampionët në fuqi, që ndonëse kanë mbetur pak mbrapa në renditje, kanë shumë cilësi në organikë. Do të kemi mungesa, pasi tani nuk do jetë as Tonali, por do luajmë mundësitë tona”, deklaroi Pioli pas ndeshjes.