Stefano Pioli është tepër i kënaqur me Milanin e tij. Nuk kishte si të ndodhtë ndryshe pas fitores 3-1 në fushën e Celtic Glasgowut, në ndeshjen e parë të fazës së grupeve të Europa League-s.
“Ishte një ndeshje e mirë, me personalitet dhe cilësi. Në pjesën e dytë ishim më pak të saktë dhe rrezikuam diçka. Pas derbit, kjo ndeshje mund të ishte një kurth, por ne provuam të mos ishim një ekip normal. Udhëtimi ynë sapo ka filluar.”
Sekreti i Milanit: “Të gjithë kemi punuar në një drejtim për një kohë të gjatë: klubi, zona teknike, stafi dhe lojtarët. E ndiejmë veten pjesë të këtij mjedisi. Jemi ekip i ri, por duam të rritemi dhe të përmirësohemi. Sekreti fillon nga drejtuesit, që konfirmuan këtë mënyrë të punës dhe lojtarë të rëndësishëm, pastaj duke përftuar lojtarë të rinj premtues të gatshëm për futbollin tonë”.
Milan i ri dhe me personalitet: “Rezultatet pozitive japin besim, forcë dhe vetëdije. Jemi të vetëdijshëm se do të ketë edhe momente më delikate dhe të vështira që ne duhet të dimë t’i shfrytëzojmë për t’u përmirësuar. Jemi një ekip i ri, por kemi personalitete në fushë dhe në dhomat e zhveshjes. Donnarumma është 21 vjeç, por ai është një i rritur. Pastaj kemi lojtarë të kalibrit të Ibras, Kessie-t dhe Kjaer”.
Sfida me Romën: “Me Romën do të jetë një provë tjetër e rëndësishme. Duhet të përgatisim veten sa më mirë që të vazhdojmë të bëjmë mirë dhe të vazhdojmë rrugën tone. Pika e kthesës erdhi duke kërkuar lojtarë të përshtatshëm për mënyrën tonë të lojës. Jemi akoma në fillim. Çfarë na duhet për titullin? Sa më shumë që të ngremë nivelin teknik, aq më mirë. Është cilësia e lojtarëve që bën ndryshimin. Me afrime të reja në dritaret e merkatos do të jemi në gjendje të rrisim nivelin tonë. Ka shumë skuadra më të forta se ne në letër, por ne mund të përballemi dhe të fitojmë me të gjitha.”