Doktor Pëllumb Pipero i ftuar në “Open” në Top Channel foli për disa rregulla që duhen pasur parasysh gjatë hapjes së vendit. Sipas tij, rreziku më i madh dhe frika më e madhe ka të bërë me kontaktet fizike të njerëzve.
Duke iu referuar edhe traditës së shqiptarëve ai tha se ne bisedojmë me katër-pesë persona dhe bisedojmë për disa minuta. Pipero gjithashtu shtoi se virusi është prezent, dhe ndaj duhet të jemi të kujdesshëm.
“Unë besoj që përgjithësisht çedohet te dëshira e njerëzve për të ndaluar dhe të bëhen 3-4 veta bashkë dhe të bëjnë muhabet. Ky është momenti më i keq për të transmetuar sëmundjen sepse nëse njëri nga ne e ka, infekton të tjerët. Ndaj është shumë e rëndësishme distanca fizike. Pra ndalojnë 3-4 veta dhe bëjnë muhabet. Por virusi mund të transmetohet dhe nga spërklat më të vogla”, tha Pipero.
Sipas Piperos nuk ka nevojë mbajtja e maskave, apo e dorezave kur janë pjesëtarë të së njëjtës familje, ndërsa shtoi se e detyrueshme është mbajtja e maskës në ambiente publike, sikurse është transporti urban, apo mjedise me shumë njerëz, ku duhet të qëndrosh për shumë kohë me persona të tjera.
“Virusi vazhdon të qarkullojë dhe është e domosdoshme të ruajmë distancën fizike 1.5-2 metër. Dhe në ambientet publike dhe në transportin urban duhen maska. Unë them maskat dhe dorezat rrugës nuk duhet të mbahen, nuk është e nevojshme. Unë vetë shikoj njerëz rrugës, ecin burrë e grua me maska e doreza. Edhe i kam ndaluar ju kam thënë pse i mbani. Është e kotë”, tha Pipero.
Sipas Piperos, hapja është bërë graduale dhe më mira u bë në këtë drejtim, por shton se duhet pasur vetëm kujdes nga të gjithë, sepse virusi qarkullon, por me një ngadalësi.
Lokale nate dhe shkuma party? Pipero: Në mënyrë kategorike të mos hapen
Pipero thotë se lokalet e natës dhe shkuma party-t në plazhe nuk duhet të hapen, ndërsa çerdhet dhe kopshtet duhet të hapen.
“Kurse çerdhet dhe kopshtet do i siguroja unë prindërit se është e dokumentuar që fëmijët deri në 12 vjeç nuk e shpërndajnë koronavirusin. Ata vetëm mund ta marrin nga prindërit, por nuk e çojnë te prindërit. Mjafton të respektojmë ato protokolle zyrtare. Edukatoret të kenë maska dhe të lajnë duart. Dorezat nuk i këshilloj fare unë. Edukatoret ndoshta duhet të kenë protokolle të veçanta, t’ju bëhet tampon ose t’ju matet temperatura dhe gjithashtu të ruajnë masat higjenike”- tha Pipero.
“Lokalet e natës nuk do ti këshilloja të hapeshin, në asnjë mënyrë. Edhe këto shkuma party-t, nuk do i këshilloja”, shtoi doktori i njohur.