I ftuar në Ora News, mjeku Pëllumb Pipero tha se mendonte se fundi i majit do të ketë rastet e fundit me Covid-19 dhe qershori do të kishte vetëm raste sporadike.
Pipero shtoi se ky është një virus tekanjoz dhe i paparashikueshëm, duke pasur raste të shtuara, kryesisht në vendet e Ballkanit.
Pipero: Unë mbas datës 18 maj mendova që nuk do të dal me në televizor, mendova se nuk do të ketë më arsye për të dalë, së bashku me kolegët e mi. Unë e kam deklaruar që fundi i majit do të ketë rastet e fundit dhe qershori do të ketë raste sporadike dhe do të mbyllet në fund të qershorit, por kam thënë se do të jetë e vështirë për të bërë parashikime.
Ky është një virus tekanjoz dhe me shumë të panjohura, mesa duket ka funksionuar edhe në rastin tonë, kryesisht në vendet ballkanike, duke pasur raste të shtuara. Kjo është një situatë që duhet analizuar. Mendoj që është e domosdoshme që të ridalim që të kemi kujdes për distancën fizike, maskën dhe dorezat për duart.