Gerard Pique është i drejtpërdrejtë. Mbrojtësi i Barcelonës pranon se shpesh në “El Clasico” i ka kaluar limitet, por kjo vetëm në fushën e blertë. Katalanasi ka dhënë një intervistë së fundmi dhe flet për raportin me lojtarët e Realit, si dhe komenton shtyrjen e “El Clasico”-s për në dhjetor.
Pique ka zbuluar edhe një prapaskenë me Neymar, të cilin vetë lojtarët e kanë kërkuar në ekip dhe për këtë kanë folur me presidentin Josep Bartomeu. Sigurisht do të ishte një risk i madh, pasi për brazilianin duhet paguar një shifër e frikshme që mund të sillte një dënim nga UEFA.
NEYMAR – “Në futboll gjithçka mund të ndodhë. Ne i thamë atij, që po shkonte në një burg prej ari. Gjithsesi dyert janë të hapura për të. Ato që janë thënë, që ai dëshiron të kthehet te Barcelona, janë të vërteta. Pasi folëm me presidentin Bartomeu në verë, disa lojtarë ishim të gatshëm për të ulur rrogën e tyre për të rikthyer Neymar-in. Duhej të gjendej një formulë për nevojat e klubit dhe lojtarit”.
RAPORTI ME LOJTARËT E REALIT – “Rivaliteti mes Barcelonës dhe Realit të Madridit është shtyrë gjithmonë në kufij dhe ndonjëherë madje e kam tejkaluar kufirin. Kur e heq fanellën, kurrë nuk kam pasur probleme me kundërshtarët nga Madridi. Vazhdoj të kem një raport të mirë me Nacho dhe Lucas Vasquez. Me Sergio Ramos nuk kam ndonjë miqësi, por kemi shumë respekt për njëri-tjetrin”.
SHTYRJA E EL CLASICO – “Mendimi im i sinqertë është se nuk kishte pse shtyhej El Clasico. Asnjëherë nuk ka pasur dhunë në një stadium në Spanjë. Ishte zmadhimi i diçkaje që nuk do të ishte problem. Kush mund të thotë që ato gjëra që u thanë nuk mund të ndodhin më 18 dhjetor? Mendoj se të luhet Barcelona-Real Madrid të mërkurën nuk është gjëja më e mirë për futbollin spanjoll. Ata duhet të kishin vendosur të luanim sikurse ishte programuar”, është shprehur Pique për “El Larguero”.