Nisur nga deklaratat e fundit, Andrea Pirlo mund të qëndrojë tek Juventusi, nëse arrin objektivin minimal të një vendi në Champions League. Por vlen të kujtohet se nisur nga deklaratat, edhe Maurizio Sarri një vit më parë duhej të qëndronte në stolin bardhezi. Me pak fjalë, deklaratave të zakonshme të drejtuesve nuk është për t’u besuar shumë. Mediat italiane këmbëngulin se fati i Pirlos tanimë është parapërcaktuar dhe mund të përmbushet që të dielën, në Udine, me marrjen e drejtimit nga trajneri i përkohshëm Tudor, në pritje të trajnerit të vërtetë për sezonin e ardhshëm. Dhe këtu bëhet fjalë për një trajner që vjen nga e kaluara: Massimiliano Allegri.
Në shtëpinë bardhezi ka ardhur momenti që të rikthehen te suksesi dhe ky është motivi që ka shtyrë drejtuesit për të kontaktuar me trajnerin e pesë titujve radhazi. Allegri është pushim prej dy vitesh, që kur u detyrua t’i jepte lamtumirën Juves, pas një takimi me mikun e tij presidentin Andrea Agnjelli. Për të thënë të vërtetën, e larguan, pasi Allegri kërkonte një ndërhyrje të fortë në organikën bardhezi, ndërsa drejtuesit mendonin se grupi kishte nevojë vetëm për ndonjë prekje.
Juventusi aktual është, gjithsesi, shumë i ndryshëm nga ai i dy viteve më parë, por është e qartë se Allegri do të kërkojë përforcime për t’u rikthyer në nivelet më të larta, edhe pse arkat e klubit kushtëzojnë ndërhyrje të kujdesshme në aspektin ekonomik.
Allegri, në vitet e fundit, ka refuzuar stola prestigjiozë dhe ishte edhe afër atij të Interit në periudhën e debatit mes Contes dhe drejtuesve zikaltër. Prej disa muajsh, gjithsesi, është përqendruar në një objektiv të vetëm, të rikthejë në maja Juventusin.
Capello këshillon Allegrin: Mos u rikthe, ta them nga eksperienca ime
Thashethemet për kthimin e Allegrit në stolin e “Zonjës së Vjetër” nuk pushojnë dhe në këtë drejtim, Fabio Capello u shpreh: “Të gjithë ata që janë kthyer nuk kanë bërë shumë mirë, po flas edhe për veten time”.
Vetë “Don Fabio”, në karrierën si trajner u kthye për herë të dytë te Milani dhe Real Madridi: “Nëse do të kthehej, ai do t’i njihte të gjitha problemet atje. Pyetja që i bëj vetes, sidoqoftë, është: pse u largua? A po kërkonin te Juve diçka ndryshe? Se diçka ndryshe ishte Sarri, i cili mbërriti dhe nuk ishte në gjendje ta tregonte veten, nuk ishte në gjendje të pikturonte foton që dëshironte. Kush është ai ekip drejtuesish, që mendon se di më shumë se trajnerët? Ata i shihni të ulur nëpër tribuna. Ju nuk mund të thoni: Jeni vetëm trajneri dhe këtu jemi ne në krye. Duhet të ketë gjithashtu afrimitet, t’i shohin projektet në të njëjtën mënyrë, të mendojnë njësoj, të diskutojnë dhe t’i zgjedhin bashkarisht lojtarët. Por, ndryshimi i tre trajnerëve në tri vite më bën të mendoj se dikush e ka mbivlerësuar veten. Dhe unë nuk hyj në problemet ekonomike. Po të isha në vendin e Allegrit do ta mendoja mirë rikthimin”.