Andrea Pirlo mori dje zyrtarisht drejtimin e Juventusit, pasi drejtoi seancën e parë stërvitore, në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri, ndërsa sot doli në një konferencë për shtyp, ku foli gjerësisht për idenë e lojës që dëshiron të implementojë dhe mbi të gjitha për merkaton.
Cila është gjëja e veçantë që sjell Pirlo dhe që mund t’i shërbejë Juventusit?
Dua të rikthej entuziazmin e munguar kohët e fundit dhe të propozoj një futboll sulmues e argëtues. Gjëja e parë që u thashë djemve dje, ishte që duhet të kemi gjithmonë kontrollin e topit dhe kur ta humbim, të provojmë rikuperimin sa më shpejt.
Çfarë mendoni për Arthur? A mund të luajë si regjisor?
Arthur është një futbollist shumë i mirë, të cilin ne e kemi parë dhe admiruar si te Barcelona, ashtu edhe te Brazili. Ai është një mesfushor që ndërton lojë dhe mund të luajë në role të ndryshme, qoftë edhe atë të regjisorit. Do të jetë një ndihmë e madhe gjatë gjithë sezonit.
A keni pasur kohë të mendoni për ftesën për të marrë skuadrën e parë?
Në fakt gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe nuk pata kohë ta mendoj, por jam i sigurt që jam në vendin e duhur dhe në kohën e duhur. Nuk kam pasur asnjë mendim tjetër në kokë gjatë kësaj kohe.
A po mendoni të punoni me mbrojtjen me tre?
Ne mund të luajmë me tre dhe me 4 mbrapa, dhe mund të mbrohemi po kaq mirë me çdonjërin prej rreshtimeve. Unë dua njerëz që pëlqejnë të sulmojnë dhe provojnë ta rikuperojnë shpejt topin, kur e humbin atë. Djemtë e dinë çfarë kërkoj dhe kanë karakteristikat për ta bërë këtë. Sa i përket rreshtimit, mund ta ndryshojmë nga ndeshja në ndeshje.
Si shkoi takimi i parë me Ronaldon dhe si keni menduar ta përdorni?
Në fakt kishim folur disa herë para se të fillonim përgatitjet dhe dje patëm mundësi të bisedonim nga pak për të gjitha, si e kaluara dhe e tashmja. Në ditët e ardhshme do të futemi në detajet teknike.
A besoni te Dybala?
Dybala nuk ka qenë kurrë në merkato dhe është një futbollist shumë i rëndësishëm për mua. Sapo të kthehet, do të nisë menjëherë punën, pasi është pjesë e rëndësishme e projektit.
Interi ka barazuar apo kaluar Juventusin, me formën që po kalon?
Të gjithë e fillojmë kampionatin nga zero dhe duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë. Vijmë nga një vit i vështirë dhe janë ndryshuar shumë plane, si përgatitjet, ndeshjet, etj., por po punojmë për të gjetur rrugën e duhur.
Si ndjehesh tani që je nga ana e brendshme e gardhit rrethues të qendrës stërvitore?
U ndjeva menjëherë shumë mirë dhe ua thashë këtë edhe djemve. Deri para ca kohësh isha në krah të tyre si futbollist dhe për disa mund të dukej e çuditshme, por këtu ndjehem mirë dhe jam gati për këtë eksperiencë të re.
A mund të luajnë Ronaldo dhe Dybala së bashku?
Momentalisht nuk i kemi të gjithë futbollistët në dispozicion dhe po punojmë me grupe të vogla, por me kalimin e ditëve do të provojmë të gjejmë një sistem të mirë loje, për t’i përfshirë të gjithë. Unë mendoj se futbollistët cilësorë mund të luajnë gjithmonë me njëri-tjetrin dhe sa më shumë kualitet të kemi në ekip, aq më shumë shanse për të fituar do të kemi në fund të sezonit. Megjithatë individualitetet nuk duhet të veprojnë jashtë kornizës së grupit, që është edhe më thelbësori për suksesin.
Si keni menduar të riktheni entuziazmin?
Entuziazmi rritet ditë pas dite, duke folur me lojtarët dhe duke i përfshirë çdo ditë e më shumë në stërvitje dhe në idenë tonë për lojën. Gjëja më e rëndësishme është të flasim me ata dhe të kuptojmë çfarë duam. Pra ana njerëzore ka shumë rëndësi në këtë aspekt.
Keni shumë pak kohë në dispozicion për të punuar. Si do t’i përcillni idetë tuaja?
Në fakt koha është e paktë, pasi në fund të javës futbollistët do të ikin me kombëtaret dhe më pas do të kemi vetëm një javë kohë për të përgatitur ndeshjen e parë të kampionatit. Duhet të jemi të zotët të shfrytëzojmë çdo moment për t’u përmirësuar dhe për të kuptuar idenë e lojës.
A do të dëshironit të kthenit frymën e Juves së dikurshme?
Ndoshta mund të arrijmë atë dëshirë dhe kohezion si Juventusi i Contes. Kishim një dëshirë të jashtëzakonshme për të luajtur dhe fituar bashkë.
Si vendosët të merrnit Tudor në staf?
Ishte ideja ime, pasi kam nevojë për një njeri me përvojë. Tudor ka qenë trajner edhe në Serinë A, ka qenë ish-mbrojtës i Juventusit dhe është autoritar edhe në dhomat e zhveshjes, ndaj mendoj se është zgjedhja ideale.
Keni folur me Higuain dhe Khedirën?
Me Higuain kam folur. Është një futbollist të cilin e kam admiruar shumë dhe ka bërë një cikël të rëndësishëm këtu, por duke folur së bashku kemi vendosur që rrugët tona të ndahen. Jemi parë në sy dhe kemi folur hapur me njëri-tjetrin, pasi kam bërë shumë, por ciklet gjithmonë e kanë një fund. Sa i përket Khedirës, ai është i dëmtuar dhe kur të rikuperohet, do flasim.
Keni bërë ndonjë pakt në dhomat e zhveshjes?
Nuk ka nevojë për ndonjë pakt me shokët apo futbollistët më me eksperiencë. Kur dëshiron të fitosh, duhet të flasësh me të gjithë.
Çfarë ka mësuar Pirlo nga finalja Bayern-PSG?
Bayerni është një skuadër e fortë dhe kjo dihej tashmë. Dëshira për të fituar dhe për të vrapuar, janë futbolli i tanishëm europian, Nëse nuk vrapon, nuk sulmon dhe nuk rikuperon shpejt topin, atëherë dështon. Bayerni i ka këto cilësi.
Ndiheni i predestinuar për sukses edhe në pankinë?
Këtë do ta tregojnë rezultatet…