3 filxhanët e kafes dhe bidoni i ujit janë ende në tavolinën ku mbeti i vrarë Martin Bardhi dhe u plagosën 3 personat e tjerë. Pas 24 orësh, gjurmët e këtij krimi, janë të dukshme. Karrigia ku ishte ulur 59 vjeçari është shpuar nga 3 plumba ndërsa disa prej tyre, kanë përfunduar dhe në murin e lokalit.
Klan News mëson se fuoristrada “Jeep” me të cilën u larguan 3 autorët ishte me targa të vjedhura. Policia e ka të vështirë identifikimin e tyre për shkak se ishin me maska.
Disa orë pas krimit u shoqëruan në komisariat 10 persona, mes tyre dhe Saimir Reçi e babai i tij, me të cilët Martin Bardhi ishte në konflikt. Ata kanë deklaruar se nuk kanë lidhje me këtë vrasje. Pasi u morën në pyetje, të gjithë u lanë të lirë.
Në mars të këtij viti Martin Bardhi dhe djali i tij dyshohet se qëlluan me armë Saimir Reçin pas një konflikti fizik. 59-vjeçari doli nga burgu pasi dëshmoi se në kohën që ndodhi krimi, kishte qenë në një vend tjetër. Për këtë ngjarje vijon të jetë në kërkim djali i tij.
Përplasja mes dy fiseve ka nisur që në vitin 1994 kur është vrarë Ilir Reçi. Për këtë krim akuzohet një nga anëtarët e fisit Bardhi.
Pavarësisht se drejtori i policisë së Lezhës sqaroi se Martin Bardhi kishte problem me disa fise në Rrëshen, Klan News mëson se një tjetër pistë hetimi është dhe aktiviteti jashtë shtetit, i djalit të tij. Dyshohet se i riu është i përfshirë në trafikun e drogës./Klan News