Një ditë pas ngjarjes, ku mbeti i vrarë Elis Rroshkodoli, policia ka disa pista hetimi, kjo për shkak të përfshirjes së tij në disa ngjarje kriminale brenda dhe jashtë vendit.
Nga burime pranë grupit hetimor, mësohet se në momentin kur është qëlluar 36-vjeçari, 4 persona kanë qenë në lokal, pronari i lokalit, viktima dhe dy klientë.
Një nga personat e marrë në pyetje ka deklaruar se viktima ka qenë vetëm në momentin kur është qëlluar ndërkohë që të tjerë kanë thënë se një mjet tip “Benz” gri është ndaluar para lokalit dhe më pas një person ka qëlluar ndaj 36-vjeçarit.
Lokali ku ndodhi vrasja mësohet se nuk ka kamera sigurie, gjë e cila e vështirëson më shumë punën për policinë. Efektivët kanë mbledhur kamera të tjera për të gjetur lëvizjet e automjetit, por makina me të cilën u krye vrasja ka humbur gjurmët në akse të pamonitoruara nga kamerat.
Viktima ka marrë 14 plumba në trup nga 18 që janë gjetur në vendin e ngjarjes.
Në vitin 2010 dyshohet se Elis Rroshkodoli ka plagosur me armë zjarri shtetasin Hysni Bregu. Më pas në vitin 2014 dyshohet se është përfshirë në një vjedhje në Belgjikë, i arrestuar bashkë me një grup shqiptarësh. Po në Belgjikë dyshohet se ka plagosur një shtetas. Në vitin 2023, është autor i dyshuar për plagosjen e një rumuni në Rumani nga ku është arratisur drejt Stambollit.
Ndërkohë policia përveç këtyre ngjarjeve ka mësuar edhe disa konflikte të tjera ku dyshohet se është përfshirë viktima. Policia ka dyshime se ekzekutorët e kësaj vrasje mund të jenë persona me pagesë dhe se porositësit janë të tjerë.