Pal Trashaj, 63-vjeçari që piu fotoksinë para SPAK mesditën e djeshme pasi kishte shkuar për të takuar një hetues të BKH-së, ka ndërruar jetë. Burime nga QSUT bënë me dije se ai ndërroi jetë mëngjesin e sotëm. Trashaj ishte viktimë e mashtrimeve me mikrokreditë, ndaj ai kishte shkuar për të takuar një hetues të BKH-së në SPAK.
63-vjeçari, i cili njihej si historian në qytetin e tij, prej vitesh ka denoncuar kalvarin me kredinë e marrë që më pas ndër vite u shumëfishua deri në bllokimin e pasurisë.
Mësohet se Pal Trashaj kishte pasur një kredi të mbetur që nga viti 2008, në vlerën e 760 mijë lekë (të vjetra). Kredinë e kishte blerë MCA e cila kërkonte 4.8 milion lekë duke bllokuar për 5 vjet: shtëpinë, tokën, makinën dhe pagën që Trashaj merrte nga puna.
Ai kërkonte që SPAK të merrte përsipër çështjen e grabitjes së pronës së tij nga përmbarues, për të cilët më herët kishte bërë një padi civile në Gjykatën e Lezhës. Ai argumentonte se kredinë e kishte shlyer dhe se veprimet e kryera për sekuestrimin e pronës së tij ishin të paligjshme.