Aktualitet Pjerin Ndreu: Përdorën emrin tim për t’i marrë para mikut biznesmen nga...

Pjerin Ndreu: Përdorën emrin tim për t’i marrë para mikut biznesmen nga Lezha

Pjerin Ndreu dhe biznesmeni Ylli Ukja

Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu thotë se një mik i tij, biznesmen ka rënë pre e një mashtrimi ku disa shtetas të cilët i cilëson të panjohur për të, kanë përdorur emrin e tij për t’i marrë para.

Në një postim në rrjetin social “Facebook”, kryebashkiaku Ndreu shkruan se para disa ditësh, ata e kanë denoncuar këtë situatë dhe është bërë e mundur kapja e autorëve nga ana e Policisë Lezhë.

Në reagimin e tij, Ndreu bën thirrje që nëse ka persona të tjerë që kanë rënë pre e këtij mashtrimi, të denoncojnë në polici.

“Një mik, biznesmen nga Lezha, ka rënë pre e një mashtrimi, ku disa shtetas, të panjohur për mua kanë përdorur emrin tim për t’i marrë para! Para ca ditësh ne e kapëm situatën, denoncuam dhe u bë e mundur kapja e autorëve nga ana e Policisë Lezhë! Nëse ka persona të tjerë që kanë rënë pre e këtij mashtrimi, ju lutem të denonconi në polici”, shkruan kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu në Facebook.

Skema

Policia ka zbardhur edhe skemën se si Shkëlqim Domi, Saimir Sallaku dhe Shefik Kurti mashtronin shtetas të ndryshëm në emrin e institucioneve vendore.

Autorët përdorën emrin e kryetarit të Bashkisë së Lezhës, duke i marrë një shumë të konsiderueshme parash biznesmenit Ylli Ukja, që njëkohësisht është presidenti i klubit të basketbollit “Besëlidhja”.

Po të njëjtin biznesmen, të tre kanë tentuar ta mashtrojnë edhe me datë 17 korrik, por duket se në rastin e dytë biznesmeni e ka kuptuar që ishte një kurth dhe është drejtuar me një denoncim në polici.

Domi dhe Sallaku u vunë në pranga, ndërsa Kurti u shpall në kërkim.

“Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasit Shkëlqim Domi dhe Saimir Sallaku, në bashkëpunim me shtetasin Shefik Kurti, më datë 14.07.2024, kanë përfituar 15 000 euro, nga administratori i një operatori ekonomik, duke komunikuar me të në aplikacionin “Signal”, në emër të përfaqësuesve të institucioneve vendore.

Më datë 17.07.2024, ata kanë tentuar të përfitojnë një tjetër shumë të madhe parash, nga ky shtetas, me anë të së njëjtës skemë. Ku këtë herë kanë tentuar të përfitojnë 20 000 euro”, njofton policia.