Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu ka kundërshtuar aksionin për shembjen e ndërtimeve pa leje në zonat bregdetare në prag të sezonit turistik.
Në mbledhjen e Task-Forcës për turizmin, ku të pranishëm ishin ministri Klosi dhe Lleshaj, kreu i Bashkisë së Lezhës tha se këtë shqetësim e ka ndarë edhe me kryeministrin Edi Rama, ndërsa pas debatit me ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj mbledhja vijoi pa praninë e mediave.
“Ia kam thënë kryeministrit mbrëmë dhe po e them edhe këtu publikisht: Ne nuk jemi ushtar rreshti, jemi kryetare të njësisë vendore, nëse ju mendoni se jemi policë të rreshtit, a ndonjë kështu harrojeni”, tha Ndreu duke shtuar se “vendimmarrjet nuk merren duke vënë sms-të përpara institucioneve serioze dhe bashkia është institucion serioz”.
Në përgjigje të tij ka replikuar Lleshaj, duke thënë se IKMT nuk merr urdhra nga askush, as ministri, as kryetari i partisë, por vetëm zbaton ligjin, aty ku është shkelur.
“Në marrëdhëniet e IKMT me shkelësit e ligjit, nuk negociohet me kryetarin e bashkisë për të vënë ligjin në një vend ku ai është shkelur”, tha Lleshaj.
DEBATI
Pjerin Ndreu: Nuk desha me fol, por meqe qenka shqetesimi i kolegeve, bashkohem me shqetesimin e zonjes Voltana. E vleresoj rolin e IKMT dhe zellin e ministrit per te shembur ndertimet pa leje, i kemi shqetesim edhe ne, por jemi ne prag te sezonit turistik dhe barra bie mbi ne, puna e jona atje do veje ekuilibrat se si do shkojme, do bejme nje sezon dinjitoz apo cfare. Por, të vijë IKMT të bëjë rrëmujë pa ditur fare bashkia e të lajmërohen inspektorë periferikë dhe kryetari i bashkisë nuk ia ka idenë dhe as nuk i merret mendimi, kjo eshte e parregullt. IKMT duhet te vije me diskutim paraprak, ku ne te japim argument, jo ta bëjmë rrëmujë turizmin. Nëse më vjen ti dhe më shemb disa objekte dhe më le inerte aty e unë nuk kam kapacitet ti më shkatërron turizmin.
Nese behet kjo une si bashki refuzoj të marr pjesë në të tilla aksione të pamenduara që injorojnë bashkinë. Po e them ketu, ia kam thënë kryeministrit mbrëmë dhe po e them edhe këtu publikisht: ne nuk jemi ushtar rreshti, jemi kryetare te njesise vendore, nëse ju mendoni se jemi policë të rreshtit, a ndonje keshtu harrojeni. Përgjegjësinë për menaxhimin e territorit e kemi ne. Kryetari i bashkisë boll është sfumu, ka ardh koha që ligji për qeverisjen vendore të shikohet me kujdes. Edhe me ato VKM që ia marrin kompetencat me 84 vota, se boll, boll është bërë izolimi i kompetencave të pushtetit lokal deri atje sa ne të injorohemi në mënyrë kaq të çuditshme.
Ju bëj thirrje publikisht të ulemi e të diskutojmë e të bien dakord me pushtetin lokal. Ka keshill bashkiak aty, edhe strategji zhvillimi aty, keto jane 30 vjet objekt pa leje ndërsa tani në kohën e sezonit turistik, mobilizojmë armë. Une i kuptoj efektet e sms-ve, lobingjeve, se unë territorin e kontrolloj dhe keshtu ndryshe por kjo nuk do të thotë që duhet të merren vendimmarrje duke vënë sms-të përpara institucioneve serioze dhe bashkia eshte institucion serioz. Nëse për ju nuk ekziston bashkia, në territorin e bashkisë Lezhë ka këshill, staf dhe nje kryetar që vepron. Kaq kisha une.
Sandër Lleshaj: Do të thoja ca gjëra por po i kursej ato që do të thoja këtu. Por ju them se IKMT është një strukturë ligjore e respektuar, e cila ka mbajtur gjatë këtyre viteve një barrë të madhe në rivendosjen e ligjshmërisë në një vend të pushtuar nga paligjshmëria. IKMT e ka kryer këtë detyrë me shumë sukses e përgjegjësi.
Protokollet e IKMT janë të përcaktuara në ligj dhe zbatohen në mënyrë rigoroze. Ne marredheniet e IKMT me shkelesit e ligjit, nuk negociohet me kryetarin e bashkise per te vene ligjin ne nje vend ku ai eshte shkelur. IKMT do ta vazhdojë këtë punë ne funksion te ligjit dhe sic thashe në raport me shkelësit, IKMT apo policia veprojnë drejperdrejt dhe nuk marrin autorizim as nga ministri dhe as nga kryetari i bashkisë, kryetari i partise dhe askush tjetër. Kanë vetëm një zot që është ligji. Nëse konstatohet se ka shkelje të ligjit, ua thashe, jeni të detyruar të ndërhyni si kryetarë bashkie apo si qytetarë. Duhet të rivendosni ligjin nëse dikush e paska ka shkelur atë. Ju ftoj ta kuptoni kete dnerhyrje te IKMT si nderhyrje ne funksion te cilesise se turizmit qe menaxhoni, se eshtë ndërhyrje për të mundësuar kushte normale në bregdetin shqiptar që një orë e më parë standardet e bregdetit shqiptar t’i largohen standardeve afrikane e t’i afrohen atyre europiane ku nuk ka ndërtime pa leje e cuba që pushtojnë segmentet e plazhit.
Blendi Klosi: Do ta vazhdojmë mbledhjen edhe 5-6 orë
Pjerin Ndreu: Dua të jap një përgjigje. Se ky është shqetësim a na keni thirrur ta diskutojmë.
Blendi Klosi: Do vazhdojë mbledhja edhe 5-6 orë
Pjerin Ndreu: 5 orë nuk kam kohë të rri unë.
IKMT-ja ka nisur aksionin në të gjithë Shqipërinë për të shembur godinat pa leje, ndërsa sot ka ndaluar në Shkodër. Bëhet fjalë për 27 objekte, të cilat do të prishen në vijën ranore të zonës së Velipojës. Ky aksion po shoqërohet me debate dhe me përplasje mes pronarëve dhe IKMT-së.