Aktualitet Pjesë e grupit kriminal, detaje për tre të arrestuarit nga RENEA në...

Pjesë e grupit kriminal, detaje për tre të arrestuarit nga RENEA në Shijak

Policia zbardh detaje nga operacioni policor ndërkombëtar “ROMANO 2017″, që çoi në pranga tre shtetas në Shijak, të cilët ishin në kërkim për llogari të drejtësisë italiane.

Operacioni u be nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe FNSH-në, në koordinim mes Interpol Tirana dhe Interforcës italiane në Shqipëri.

NJOFTIMI

Gjatë operacionit janë ekzekutuar 18 masa sigurie dhe për njërin është bërë shpallja në kërkim ndërkombëtar.

Në vijim të operacioneve të përbashkëta që Policia e Shtetit zhvillon me homologët për goditjen e veprimtarisë kriminale, si dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga ana e Seksionit per Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, FNSH-në dhe Komisariatin e Policisë Durrës, në koordinim mes Interpol Tirana dhe Interfocës italiane në Shqipëri, u finalizua me sukses Plan – Operacioni “ROMANO 2017”, si rezultat i të cilit u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i përkohshëm me qëllim ekstradimi i shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar:

F. M., 30 vjeç, banues në Xhafzotaj Durrës.

D. Ç., 27 vjeç, banues në Gjepalaj Durrës.

L. B. 41 vjeç, banues në Xhafzotaj Durrës.

Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana është njoftuar nga Interpol Roma se këta shtetas janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Komanda Provinciale Karabineri e Bergamos, Itali ka programuar ekzekutimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, dhënë nga Gjykata e Bergamos, Itali, për veprat penale “Trafikim i lëndëve narotike”, për 16 shtetas shqiptarë, italianë dhe marokenë.

Operacioni është zhvilluar në të njëtën kohë edhe në Itali, ku si rezultat në Itali janë kapur dhe arrestuar 12 shtetas shqiptarë, italianë e marokenë, si dhe janë ekzekutuar edhe tri masa sigurie, dy prej të cilave “Detyrim paraqitjeje” dhe një “Arrest në shtëpi”.

Ndërsa një shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi nuk u gjet në banesë gjatë kontrollit të ushtruar nga FNSH-ja në Durrës.

 Hetimi për këtë grup kriminal ka nisur në vitin 2017, pasi dyshohet se ky grup kryente trafikim të lëndëve narkotike nga vende të ndryshme drejt Italisë.

Edhe gjatë këtij operacioni Policia e Shtetit tregoi edhe njëherë profesionalizmin dhe vendosmërinë e saj për të bashkëpunuar me partnerët në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar.