Kryebashkiakët e djathtë kanë mbajtur një fjalë për mediat pas mbledhjes mes 61 kryetarëve të bashkive në vend dhe qeverisë.
Në fjalën e tij kryetari i bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja u shpreh se kur vjen puna tek interesat qytetare nuk ka ndasi politike dhe se nuk ka asnjë çudi pse ai dhe kolegët e tij të djathtë ishin të pranishëm në mbledhje.
“Bashkë me kolegët e mi ishim në mbledhjen e përbashkët të 61 kryetarëve të bashkive dhe qeverisë për të bashkërenduar punën. Nuk kemi ndasi politike kur vjen puna për interesat qytetare. Për arsye politike ne e kemi treguar në 14 Maj se kush jemi dhje çfarë qëndrimi kemi mbajtur. Nuk besoj që është një çudi e madhe që ne ishim këtu sot me qeverinë për të mirën e njerëzve që na kanë zgjedhur”, tha Qosja.
I pyetur se a u ndjenë të barabartë në mbledhjen mes kryetarëve të bashkive dhe qeverisë, Qosja u shpreh se po. Gjithashtu ai shtoi se morën garanci nga kryeministri Edi Rama për reagim ndaj kërkesave të tyre.
“Padiskutim (u ndjenë të barabartë). Ne kishim kërkesat tona për zona specifike që kemi unë dhe kolegët e mi. Ato i shqyrtuan. Se dimë tani sa qeveria do reagojë. Garancia ishte e kryeministrit, por veprat do të tregojnë se si do shkojë. Po të vështirë janë të gjitha bashkitë, por me menaxhimin e mirë besoj do ja dalim”, tha Qosja.
Ndërsa kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit, Hilë Curri, është shprehur se nuk e ka parë këtë mbledhje në aspektin politik, teksa ka shtuar se problematikat që qytetarët kanë janë më të mëdha.
“Si kolegu im, kjo është mbledhje e të gjithë kryetarëve të bashkive. Ne kemi specifika të veçanta si bashki. Asnjëri prej nesh nuk e ka parë në aspektin politik sepse problematikat që kanë qytetarët tanë janë më të mëdha se ndasitë politike. Diskutuam shumë. Bashkitë e vogla kanë paga më të ulëta. Morëm njëfarë garancie. U la edhe Skype një herë në muaj me ministrat. Na favorizon. Garancia më e madhe është edhe BE, nëse në ndonjë moment nuk ndihemi të vlerësuar. Ne mbetemi bashki të vogla. Ka disa bashki në Shqipëri që kanë teprica në buxhet dhe nuk mund t’i harxhojnë, ne kemi mungesa”, tha Hilë Curri.