Opozita mblodhi ditën e sotme qindra mijëra qytetarë në Bulevardin përpara selisë së qeverisë.
Qytetarët nuk u dekurajuan nga temperaturat e larta dhe duket se përçarjet në Partinë Demokratike me konsolidimin e Sali Berishës në krye të selisë blu janë tejkaluar duke mbledhur mijëra qytetarë në shesh.
Në të gjithë protestën që zgjati rreth 120 minuta nuk ndodhi asnjë incident apo përplasje me policinë. Vetë organizatorët u kujdesën që të krijonin një kordon paralel me atë të policisë.
Protesta u hap me këngën “himn” tashmë të bërë nga PD-ja për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe rritur forcën e reagimit kundër saj.
Protestuesit kishin zgjedhur pankarta me mesazhe politike dhe ironike kundrejt qeverisë por edhe lidershipit të kaluar të Partisë Demokratike.
Sali Berisha, gjatë fjalës së tij e shpalli Edi Ramën armik dhe gjatë fjalës së tij përmendi disa nga aferat e qeverisë dhe hodhi akuza për korrupsion galopant me veprat publike infrastrukturore.
Gjatë fjalimit të kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha, protestuesit kanë ndezur celularët, duke e ‘ndezur’ bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.