Policia e Kosovës ka njoftuar dy persona janë plagosur me armë zjarri, në fshatin Drajkovc të Shtërpcës, komunë kjo e banuar me shumicë serbe.
Sipas njoftimit të policisë, rreth orës 15:20 më 6 janar, ndaj dy personave, njëri i mitur 11-vjeçar dhe tjetri rreth 31-vjeçar, është shtënë me armë zjarri nga të dyshuar, të cilët ishin me një automjet në lëvizje, që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt. Sipas policisë, vetura më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Lidhur me rastin Policia e Kosovës ka identifikuar e më pas kanë arrestuar të dyshuarin me inicialet A.K. 33 vjeç. I dyshuari është shoqëruar në Policinë Rajonale të Ferizajt.
Policia e Kosovës, gjithashtu ka njoftuar se dy të lënduarit janë dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtërpcë dhe pas marrjes së ndihmës së parë, ata janë dërguar me ambulancë për tretman të mëtejmë mjekësor në Graçanicë.
Sipas informacioneve të policisë, të dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.
Për ngjarjen ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti.
“E dënoj ashpër sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë. Thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre. Sipas informatave, të rinjtë 11 dhe 21 vjeçar janë jashtë rrezikut për jetë dhe ju dëshiroj shërim të shpejtë. Policia e Kosovës veçse ka arrestuar të dyshuarin i cili pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë.
Njësitet relevante do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij akti të papranueshëm dhe të dënueshëm.
Dua të siguroj të gjithë qytetarët se Policia e Kosovës është e angazhuar maksimalisht në kryerjen e detyrave të saj me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së të gjithëve pa dallim”, shkruan Kurti në rrjetet sociale.