Një i ri mbeti i plagosur me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të shtune në një prej zonave më të populluara të Tiranës. Ngjarja ndodhi në zonën e njohur si Pallatet Agimi në kryeqytet.
I plagosur nga kjo ngjarje ka mbetur Ilir Shkurti rreth 32 vjeç. Ai ka marrë një plagë në këmbë dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ndodhi pranë një lokali të njohur në zonë. I plagosuri u qëllua nga një makinë në lëvizje.
Pak kohë pas ngjarjes, policia njoftoi se kishte mundur të ndalonte një prej autorëve të dyshuar ashtu sikurse edhe automjetin me të cilin lëviznin autorët. I arrestuari është 38-vjeçari Kridens Meçollari.
Njoftimi i policisë
Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë në kohë rekord u bë e mundur kapja dhe arrestimi i njërit prej autorëve të plagosjes me armë të një shtetasi si dhe bllokimi i mjetit me të cilin autorët u larguan nga vendi i ngjarjes.
Rreth orës 19:00, në vendin e quajtur “Shallvaret” në afërsi të një bar-kafeje, dyshohet se pas një konflikti të çastit është plagosur me armë zjarri shtetasi I. Sh, 32 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë në kohë rekord u bë kapja dhe shoqërimi në ambientet e Policisë për veprime të mëtejshme i njërit prej autorëve të dyshuar të ngjarjes shtetasit K. M, 38 vjeç dhe bllokimi i mjetit tip “Benz” që u përdor nga autorët për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorit tjetër të ngjarjes i cili ka mundur të zbresë nga automjeti dhe të largohet në brendësi të pallateve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë të saj.