Aktualitet Plagosi 3 persona me thikë në Tiranë, lihet në burg 40-vjeçari

Plagosi 3 persona me thikë në Tiranë, lihet në burg 40-vjeçari

Gjykata ka lënë në arrest me burg Altin Mergjyshi (Deda), i cili disa ditë më parë plagosi tre persona në Laprakë të Tiranës.

40-vjeçari Mergjyshi goditi me thikë italianin Masimo Sorvillo, bashkëshorten e tij 40-vjeçare, Roxhersa Rrapollari dhe babain e saj, 64-vjeçarin Viktor Rrapollari.

Ngjarja e rëndë ndodhi në një lokal dhe dyshohet se shkak është bërë pushimi nga puna nga pronari italian. Dëmtimet më të rënda i mori 64-vjeçari Viktor Rrapollari.

Altin Mergjyshi, i cili njihet edhe me emrin Elton, ka deklaruar se ka pasur sherr me pronarin italian të fabrikës së përpunimit dhe tregtimit të produkteve të bulmetit.

Bëhet fjalë për një biznes të hapur së fundmi në pronësi të shtetit italian që siç duket nga hetimet është ndihmuar nga Mergjyshi.

Gjatë kohëve të fundit, italiani e kishte hequr pa të drejtë nga puna, pasi e kishte ndihmuar për të hapur fabrikën për të blerë pajisjet. Ai i ka kërkuar pronarit paratë dhe më pas kanë lindur debate.

Sipas Mergjyshit kur ka kaluar tek lokali tre të plagosurit e kanë ngacmuar dhe kërcënuar dhe për pasojë i ka goditur më pas.