Policia së Tiranës ka vendosur në dispozicion 10 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacione që çojnë në kapjen e policit Erjon Goxhara 46 vjeç, i cili të hënën plagosi me armë një 45-vjeçar në Komunën e Parisit.
Policia e Tiranës bën me dije se Goxhara akuzohet për vrasje me paramendim e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Ngjarja
Ngjarja ndodhi në rrugën “Tish Daija”, teksa efektivi i Drejtorisë për Kufirin dhe Migracionin Tiranë qëlloi disa herë me armë në këmbë dhe në bark 45-vjeçarin Lorenc Kosta. Ky i fundit mbeti i plagosur dhe ndodhet në spital.
Shkak i ngjarjes dyshohet të ketë qenë konflikti për një lidhje jashtëmartesore.
I veshur me një bluzë të kuqe dhe një çantë në qafë, ai nxjerr pistoletën dhe e qëllon 5 herë 45-vjeçarin. Pasi e ka lënë të plagosur në bark dhe këmbë,
Goxhara i bën video me celular të Lorenc Kostës dhe largohet me shpejtësi.
Referuar burimeve ai ka dyshime se fshihet në periferi të Tiranës, pasi për herë të fundit është parë në afërsi të zonës së Dajtit. Aty ai ka shkuar pas ngjarjes me një taksi.
Dëshmia e djalit
Bashkë me të ka qenë dhe djali i tij, i cili në deklarimet përpara oficerëve të policisë ka rrëfyer se i ati e ka marrë atë në telefon pas ngjarjes.
“Rreth orës 14:35 më ka marrë në telefon babai im dhe më ka thënë se kishte plagosur Lorencin me armë. Unë e kam pyetur i revoltuar se përse e bëri. Pas kësaj telefonate më ka marrë sërish dhe më ka thënë që të dilja te rrethi i Shkozës pasi do të shkonim në zonën e Freskut. Unë kam dalë në vendin ku më tha ta prisja. Pasi babi ka ardhur te rrethi i Shkozës në këmbë, ne kemi marrë një taksi dhe jemi nisur për në zonën e Freskut. Sapo kemi mbërritur te zona e Thesarit të Shtetit, kemi zbritur të dy nga taksia dhe shoferit të taksisë i tha të priste kurse mua më tha që ta ndiqja. Menjëherë në këtë moment sapo kemi zbritur na janë afruar dy punonjës policie të veshur civil të cilët e kanë thirrur në emër babain tim dhe ai sapo i pa u largua me vrap mes pallateve duke u thënë këtyre personave që më mirë vras veten sesa të kalbem në burg”.