Policia e Tiranës ka ekstraduar nga Kosova, 24-vjeçarin Markeljan Cungu, i cili ndodhej në kërkim për grabitjen me armë në Allias ku mbetën të plagosur dy bashkëshortët Petrit dhe Afërdita Laze. Ngjarja për të cilën ndodhej në kërkim Cungu, u regjistrua me 19 Janar të vitit të shkuar, pasi së bashku me Fatjon Mërtënikajn, hynë për të grabitur në rrugën “Njazi Meka”, por u pikasën me pronarin e banesës dhe bashkëshorten e tij.
Me vete kanë pasur një automatik dhe një pistoletë dhe për shkak se janë ndjerë nga pronari i shtëpisë, mes dy grabitësve dhe Petrit Lazes ka filluar përleshja në korridorin e shtëpisë. Sipas policisë Cungu, ka qëlluar me automatik në drejtim të Petrit Laze, duke e plagosur rëndë me një plumb në bark, ndërsa më pas edhe bashkëshorten.
Për këtë ngjarje, Markeljan Cungu është dënuar me 25 vite burgim për mbajtjen pa leje të armëve, vjedhje me armë, dhe plagosje të rëndë me dashje.
Cungu dhe Mërtënikaj, janë persona të njohur për drejtësinë, pasi rezultojnë të dënuar më herët. 24-vjeçari Cungu në regjistrat e komisariateve të policisë së Tiranës, rezulton i dyshuar për një numër të konsiderueshëm grabitjesh, kryesisht gjatë kohës kur ishte minoren. Ndërsa Mërtënikaj ka qenë i dënuar më parë për prodhim dhe shitje narkotikësh.