Aktualitet Plagosja e Pirolit, policia arreston 29-vjeçarin që e dërgoi në spital

Plagosja e Pirolit, policia arreston 29-vjeçarin që e dërgoi në spital

Policia e Shkodrës ka arrestuar 29-vjeçarin që transportoi drejt Spitalit të Lezhës Vinçesk Pirolin, i cili mbeti i plagosur me armë zjarri në rrethana të paqarta mbrëmjen e 3 Janarit 2022.

Marjan Marku ka qenë personi i cili dërgoi nga lagjia Bahçallëk e Shkodrës drejt Spitalit të Lezhës 34-vjeçarin Piroli, dhe më pas e la aty dhe u largua pa njoftuar policisë.

29-vjeçari Marku akuzohet për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Po kështu, edhe Pirolit i është komunikuar në Spitalin e Traumës arrestimi për të njëjtat akuza.

Policia u vu në dijeni për plagosjen me armë nga ana e autoriteteve spitalore.

Blutë e Shkodrës thonë se Vinçesk Piroli nuk njoftoi policinë për ngjarjen dhe ka penguar hetuesit për zbardhjen e saj, duke mos deklaruar rrethanat.

Ndërkohë, Vinçesk Piroli ka qenë person në kërkim ndërkombëtar i shpallur nga autoritetet malazeze pasi akuzohet si i dyshuar për një vrasje në Ulqin në muajin Korrik 2021.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje dhe zbardhjen e rrethanave të saj.