Një adoleshent shqiptar ka mbetur i plagosur me armë zjarri mbrëmjen e së premtes në komunën e Monterotondos në provincën e Romës.
16-vjeçari i identifikuar si Enrico. P, djali i një familje emigrantësh shqiptarë në Itali u plagos nga 29-vjeçari Andrea Pulone.
Shqiptari bashkë më dy persona të tjerë kishin hyrë për të grabitur banesën e italianit.
Mediat italiane shkruajnë se lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe ministri i Brendshëm italian Salvini.
16-vjeçari shqiptar është i plagosuri i parë pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri “mbi të drejtën e mbrojtjes së ligjshme ndaj kujtdo që tenton të grabisë pronën private”. Ky ligj u propozua nga Partia Lidhja e nga Ministri i Brendshëm Matteo Salvini dhe u firmos nga Presidenti i Republikës Sergio Mattarella.
“Mesa duket një ditë më parë është verifikuar episodi i parë i të drejtës së mbrojtjes së ligjshme. Një 16 vjeçar shqiptar, anëtar i një bande grabitësish është braktisur në prag të spitalit Poliklinik Gemelli, pasi ka marrë plagë zjarri. Më pyetën a më vjen keq. U përgjigja se nëse 16-vjeçari nuk do bënte grabitësin tani do të ishte mirë e duke parë spektaklin “Kërcim me Yjet”, komentoi ministri Salvini.
Ndërsa mediat italiane bëjnë të ditur se shqiptari ishte dërguar dhe më pas braktisur në hyrje të spitalit Gemelli të Romës, në gjendje mjaft të rëndë shëndetësore, pasi kishte marrë dy plumba në trup e kishte humbur mjaft gjak.
16-vjeçari është operuar gjatë natës dhe tani ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
29-vjeçari Andrea Pulone kishte qëlluar 5 herë me një pistoletë tip Glock të kalibrit 40 të cilën e zotëronte me leje të rregullt. Më pas ka telefonuar policinë duke i informuar se ka qëlluar kundër personave që tentuan t’i grabisin shtëpinë.
Rreth 30 minuta pas ngjarjes një automjet ka braktisur në hyrje të spitalit Gemelli, 16-vjeçarin Enrico.P, duke u larguar më pas pa lënë gjurmë.
Policia italiane ka sekuestruar kamerat e sigurisë në hyrje të spitalit për të identifikuar personat që e braktisën.