Dy persona kanë rënë në pranga për plagosjen e trefishtë të ndodhur gjatë orëve të natës të kësaj të martë në Tiranë.
Dardan Zalli dhe Arjan Dushaj janë arrestuar nga policia e Tiranës, pas plagosjes me armë zjarri gjatë një feste familjare të 3 të afërmve nga Edison Elezaj, djali i pronarit të ‘Lajthizës’ Hajri Elezajt.
Policia njofton se pas kryerjes së krimit nga Edison Elezaj, dy të arrestuarit, i kanë marrë armën e zjarrit dhe më pas e kanë fshehur atë, me qëllim pengimin e zbulimit të veprës penale dhe të autorit të saj.
Njoftimi i policisë:
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mëngjesin e sotëm, ju informojmë se:
Në vijim të veprimeve të shpejta hetimore, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, është bërë i mundur dokumentimi i plotë i autorësisë së ngjarjes, dhe si rezultat:
– u shpall në kërkim shtetasi E. E., 32 vjeç, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, parashikuar nga neni 88/2 i Kodit Penal;
– u arrestuan shtetasit A. D., 38 vjeç, dhe D. Z., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 301/25 i Kodit Penal.
Gjithashtu, gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, si dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë, është bërë e mundur gjetja e armës së zjarrit pistoletë TT, e cila dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes.
Pas kryerjes së krimit nga shtetasi E. E., dy të arrestuarit, i kanë marrë armën e zjarrit dhe më pas e kanë fshehur atë, me qëllim pengimin e zbulimit të veprës penale dhe të autorit të saj.
Materialet i kaluan Prokurorisë”.
Ngjarja ndodhi gjatë një feste që u zhvillua në ambientet e restorantit “Savoy Garden” në Tiranë, ku Edison Elezaj shkrepi armën duke lënë të lënduar tre prej personave të pranishëm.