Të shtënat me armën e shërbimit të policisë lanë të plagosur një 45-vjeçar pasditen e kësaj të hëne në Tiranë.
Ngjarja e rëndë ndodhi te Komuna e Parisit ku efektivi i Policisë Kufitare, Erion Goxharaj qëlloi disa herë në drejtim të këmbëve Lorenc Kostën.
I plagosuri u transportua në spitalin e Traumës ndërsa sipas mjekëve mbërriti me plagë të shumta por gjendja e tij është e stabilizuar. Sipas drejtorit të policisë së Tiranës ngjarja ndodhi për motive të dobëta, ndërsa mësohet se shkak u bë një ngacmim i 45-vjeçarit Kosta ndaj partneres së 30-vjeçarit Goxharaj.
Kosta së bashku me bashkëjetuesen e efektivit punojnë të dy në të njëjtin sektor tek Enti Rregullator i Energjisë.
Tonin Vocaj kërkoi dhe vetëdorëzimin e 30-vjeçarit.
“Kam komunikuar me efektivin është në gjendje të rënduar psikologjike, po e kontaktojmë që mos të kryejë ndonjë veprim tjetër ndaj vetes. Jemi duke shpenzuar energjitë që ta kapim. I bëjmë thirrje dhe nëpërmjet medias që të dorëzohet. Siç duket nga komunikimet me mjekët i plagosuri nuk është në rrezik ekstrem për jetën”, tha Vocaj.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje Goxharaj u largua me një automjet tip Chevrolet të kuq, ndërsa policia ka ngritur disa pika kontrolli për kapjen e tij.