Aktualitet Plagosja te “Komuna e Parisit”, efektivi i policisë ishte në xhami para...

Plagosja te “Komuna e Parisit”, efektivi i policisë ishte në xhami para ngjarjes: Pata kontaktuar edhe bashkëshorten e Kostës

Efektivi i Policisë së Rinasit, Erjon Goxhara, u shfaq i penduar në sallën e gjyqit për plagosjen me armë zjarri të Lorenc Kostës tek Komuna e Parisit, por këmbënguli se nuk kishte dashur ta vriste.

Ai mohoi akuzën e “vrasjes me paramendim”, mbetur në tentativë duke kërkuar një masë të butë sigurie, por gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë për ta lënë në masën e sigurisë “arrest në burg”.

Përveç kësaj akuze, Goxhara do të hetohet edhe për “armëmbajtje pa leje”, derisa hetimi të provojë shkencërisht që arma e përdorur në ngjarje ishte ajo që mbante për shkak të detyrës.

Para gjyqtarit Goxhara ka pretenduar se veprën e ka kryer në kushte të tronditjes së rëndë psikike, për shkak të situatës që kishte shkaktuar inxhinieri i ERE-së, Kosta, në familjen e tij.

Sipas efektivit të policisë kufitare, përveçse kishte mësuar raportin intim të së shoqes, ai kishte kontaktuar përmes e-mailit bashkëshorten e Kostës, duke e vënë në dijeni.

Për këtë fakt, ai ka pretenduar të jetë kërcënuar verbalisht nga Lorenc Kosta, pak para se ta qëllonte pasditen e së hënës tek Komuna e Parisit.

Për ditën e ngjarjes, Goxhara, ka treguar se pasi kishte kryer ritet fetare në një xhami ka dërguar vajzën te tezja e saj në zonën e Komunës së Parisit.

Në zonë ai ka ndeshur Lorenc Kostën, të cilin e ka njohur. Mes të dyve është zhvilluar një debat verbal, ku Goxhara, shprehet se i ka kërkuar llogari pse i ka shkatërruar familjen.

Sipas tij, Kosta i ka folur me ton kërcënues, duke i thënë “unë ta jap me deklaratë noteriale, që s’kam bërë gjë” dhe duke e prekur në sup.

Pas këtij momenti Kosta është larguar edhe pse efektivi ka kërkuar të sqarohen. Goxhara ka treguar se pasi ka zhvendosur makinën pak metra, e ka parë sërish para një marketi Kostën, vend ku ka zbritur dhe qëlluar disa herë me armë në gjymtyrët e poshtme./A2 CNN