Deputeti i PD-së, Edi Paloka u pyet sot nga gazetarët nëse pas përfundimit të Kuvendit Kombëtar demokratët do të marshojnë drejt selisë së PD-së për të marrë selinë.
Ai tha se ata nuk do të marrin asgjë me dhunë.
“Nëse në selinë e PD kanë frikë nga demokratët, ky është fundi pastaj, ne nuk marrim asgjë me dhunë, nuk ka nevojë. Kuvendi i mori vendimet e tij, të gjithë kanë detyrimin t’i zbatojnë. Kuvendin do ta njohin patjetër”- tha Paloka.
Kjo pyetje iu bë Palokës në një kohë kur është vënë një prani e madhe e Forcave Speciale dhe e makinave të blinduara të Policisë pranë selisë blu dhe Kuvendit.
Luçiano Boçi konfirmon: Nuk do të ketë marshim drejt selisë së PD-së, është skenar imagjinar
Pas shumë informacioneve që qarkulluan në medie se do kishte një marshim drejt PD-së, deputeti Luçiano Boçi ka sqaruar se kjo nuk është e vërtetë.
Në një prononcim për mediat, Boçi theksoi se nuk do të ketë një marshim duke i quajtur “skenare’ këto lajme.
Ai gjatë fjalës së tij u shpreh se nëse sot votohet shkarkimi i Luzim Bashës si kryetar i PD-së, bie vlera e Kuvendit të thirrur nga ky i fundit më 18 dhjetor.
“Jo nuk do të ketë marshim, skenarë të tillë janë imagjinar. Po vazhdohet me procedura të rregullta me qëllim që dhe largimi të jetë procedural dhe jo me skenarë. Janë anonçuar për të prishur këtë atmosferë.
Ishte e drejta e kryetarit ta thërriste Kuvendin sipas statusit. Nëse ai rezulton i shkarkuar, bie vlera e 18 dhjetorit, siç ka thirrur Kuvendin. Referendume zhvillohet në dehët e PD. Në çdo bashki dhe pjesa tjetër thashë se Kuvendi i 18 është në pikëpyetje për shkak të votimit. nëse rezulton i shkarkuar Basha, s’ka vlerë Kuvendi i 18 dhjetorit. Komisioni nuk është komisioni marrës i PD, por komisioni që do të merret me procedurat e organizmit të zgjedhjeve për drejtuesit e PD, për të gjitha strukturat. Mos t’i ngatërrojmë gjërat. Votat janë 50 plus 1”, tha Boçi.
Kjo deklaratë e tij vjen pas shumë njoftimesh se demokratët do marshonin drejt PD-së pas Kuvendit Kombëtar, ndërsa në rrugët që të çojnë në selinë blu u vu re një prani e shtuar e Forcave Speciale.