Aktualitet Plani i klanit Duka për të vrarë Ervis Martinajn

Plani i klanit Duka për të vrarë Ervis Martinajn

Gazetarja Klodiana Lala u shpreh për Euronews Albania se një nga kundërshtarët më të fortë të Ervis Martinajt, është klani Duka.

Lala tha se këta të fundit kanë paguar një oficer policie që t’u jepte informacion rreth lëvizjeve të Martinajt.

Sipas gazetares, kundërshtarët nuk mundën të vrisinin Martinaj, por mundën të eliminonin mikun e tij, Santiago Malkon.

“Ka pasur më parë një plan, që klani kriminal Duka që ai u përplas shumë ashpër para disa vitesh, kishte paguar shumë para një agjenci turistike, një oficer tjetër të policisë për të dhënë informacion për lëvizjet e Erivs Martinajt. Ata nuk e vrisnin dot Martinajn dhe i ekzekutuan mikun, Santiago Malkon. Kundërshtarët i prenë të gjithë krahët”, tha Lala.

Lala tha se agjenti i Forcës së Posaçme Operacione Jeton Lami, i cili ka shoqëruar të shumëkërkuarin Ervis Martinajn dhe ndodhet në burg nuk do të flasë para autoriteteve.

Lala tha se nëse Lami do fliste, çështja e Ervis Martinajt do të shkonte në nivele të larta të policisë, politikës dhe tek njerëzit e njohur të biznesit.

“Çështja është se Jeton Lami, ka heshtur deri më tani dhe mendoj se nuk do të flasë, sepse po foli nuk do të mbetet te skuadra e Posaçme Operacionale kjo histori do shkojë në nivele të larta të policisë, deri në nivele të larta politike dhe deri tek njerëzit njohur të biznesit”, tha ajo.

Më tej gazetarja theksoi se Lami ishte potencialisht i rrezikuar për t’u vrarë sepse ai kishte të gjithë informacionet për Ervis Martinajn.

“Jeton Lami është shpëtuar brenda në burg. Ai ishte potencialisht njeri i rrezikuar për  t’u vrarë dhe në njëfarë mënyre shteti e mori e arrestoi dhe e shpëtoi. A do ta bindin autoritetet që ai të flasë sepse është njeriu që ka pasur të gjithë informacionet, janë eksponentë të njohur të botës së krimit, ish-ushtarakë të lartë, ish-efektivë të RENEA-së që e kanë shoqëruar Vis Martinajn”, u shpreh Lala.