Në të gjithë Europën kanë nisur të mendojnë për pushimet e verës në kohë pandemie, me një vëmendje të veçantë që po i kushtohet plazhit, si një pjesë ku do të jetë e vështirë të kontrollohet distancimi fizik.
Në Spanjë, një prej vendeve më të prekura nga koronavirusi, kanë menduar edhe për ndarje të bregdetit për grupmosha të caktuara. Në rajonin e Galicisë, plazhi Silgar do të ndahet në 5 zona të ndryshme, ku në secilën do të krijohen 780 hapësira të ndara nga njëra tjetra me litar, në një distancë prej 1,5 metra. Turistët do të duhet të qëndrojnë gjatë gjithë kohës brenda sipërfaqes prej 9 metra katrorë. Ndërsa në plazh do të ketë dy hapësira, një për shëtitje dhe lojëra, dhe një tjetër për tualetet dhe dushet publike.
Javë më parë, nga Italia pati një tjetër ide për plazhin këtë vit, ku sugjerohet përdorimi i kutive prej pleksiglasi për të ndarë pushuesit nga njëri-tjetri.
Ndërsa në Shqipëri, deri tani është publikuar një draft-protokoll nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me atë të Turizmit, ku sugjerohen një numër i madh masash për frenimin e përhapjes së koronavirusit. Aty thuhet se çadrat në plazh duhet të vendosen deri në 3,5 metra larg njëra-tjetrës, ndërsa njerëzit duhet të qëndrojnë 3 metra larg njëri-tjetrit kur të futen në det.
Plani i Spanjës në video