SHBA do të forcojë trupat dhe bazat ushtarake për t’u përballur me Kinën dhe Rusinë, në një përpjekje për të pasur një forcë parandaluese efektive në Lindjen e Mesme edhe kundër Iranit dhe grupeve xhihadiste, njoftoi Pentagoni, sipas një raporti mbi qëndrimin i ri ushtarak në botë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në këtë raport parashikohet edhe modernizimi dhe zgjerimi i bazave ushtarake në Guam, në oqeanin Paqësor, dhe në Australi duke konfirmuar përparësinë e dhënë Pekinit, ambiciet territoriale të të cilit Uashingtoni kërkon t’i kundërshtojë.
”Qëndrimi i ri amerikan veçanërisht rekomandon bashkëpunimin me aleatët dhe partnerët në rajon për të propozuar iniciativa që kontribuojnë në stabilitetin rajonal dhe që shkurajojnë Kinën nga një agresion i mundshëm ushtarak”, shpjegon Mara Karlin, përgjegjëse për strategjinë në Departamentin amerikan të Mbrojtjes.
Një zyrtar tjetër i Pentagonit gjithashtu raportoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po studiojnë gjithashtu ”iniciativa me aleatët e tyre dhe partnerët për të përforcuar pengesën e tyre ndaj Rusisë”.
Detajet e planit, të porositura nga presidenti Joe Biden në fillim të mandatit të tij do të mbeten të klasifikuara për të mos u zbuluar sekrete rivalëve ose informacione konfidenciale, të cilat ndahet me aleatët.