Ka nisur në Tiranë, Samiti i Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian, me fokus në Planin e ri të Rritjes.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama u bëri thirrje vendeve të rajonit që të lënë mënjanë çështjet dypalëshe dhe të fokusohen tek detyrat e shtëpisë që duhen bërë në mënyrë që të mund të përfitojnë mbështetje ekonomike nga programi i ri i BE-së.
“Ose e bëjmë së bashku, ose humbasim së bashku. Ekonomitë tona nuk mund të lulëzojnë duke i vendosur pengesa njëri-tjetrit…Mungesa e begatisë do të na bëjë ta humbasim paqen,” tha kreu i qeverisë duke shtuar se Bashkimi Europian është më i gatshëm se kurrë për t’u zgjeruar me vendet e rajonit, por këto të fundit, shtoi ai, duhet të jenë të gatshme që të mos e humbasin këtë dritare mundësie.
Synimi i Shqipërisë, siç bëri të ditur kryeministri, do të jetë që të jetë gati në qershor për aplikimin për digjitalizimin e tregut të përbashkët, duke mundësuar kështu shkurtimin e orëve të pritjes së kamionëve në dogana.
Kështu, nëse do të përmbushen kërkesat për zonën e përbashkët të pagesave, “do të ulen me 6 herë tarifat e qytetarëve.”
“Duhet të ofrojmë rezultate të prekshme. Ka disa kushte që duhen përmbushur nëse duam të marrim fonde shtesë nga Plani i Rritjes. Në Tiranë kemi nevojë për një plan të ri reformash. Përfshirja e aktorëve të tjerë, kritike për të përmbushur synimet e procesit. Kemi bërë përparime për sistemin e drejtësisë, por mbetet shumë për tu bërë që të jemi në nivelin e BE. Komisionieri do e shtjellojë më tej atë që për vendet tona janë në planin e ri të rritjes e c’duhet të bëjmë që ti marrim. Shqipëria është gati për këtë ushtrim sfidues. Do punojmë me të tjerët për lehtësuar rrugën. Nëse përmbushim kriteret për zonën europiane të pagesave do ulim me 6 herë tarifat e shqiptareve jashtë për të dërguar paratë në familje.
Ambicia jonë si Shqiperi është të jemi gati në qershor për aplikimin. Synojmë Të ulim me 3 orë kohën e pritjes së kamionëve në dogana”, tha Rama.