Kërcënimi i luftës mes Rusisë dhe Ukrainës ka ngjalluar frikën se Europa mund të përballet me një katastroftë të vërtetë energjetike.
Shumica e shtëpive europiane gjatë dimrit përdorin sisteme qendrore ngrohje që vihen në punë nga kaldaja gazi. Gjithashtu, 40% e evropianëve përdorin gazin si burim kryesor të elektricitetit.
Situata e tensionuar në kufirin Rusi-Ukrainë ka shqetësuar europianët të cilët shumë shpejt mund të përballen me fatura të rënda energjie.
Rusia është furnizuesi më i madh i Europës me gaz, dhe 1/3 e tij transportohet me anë të gazsjellësit ndërkontinental që kalon mes për mes Ukrainës. Nëse rusët vendosin të pushtojnë Ukrainën dhe të fikin pompat, kjo mund të shkaktonte një krizë energjetike në Europë.
Çfarë po planifikojnë amerikanët?
Këtë javë, Shtëpia e Bardhë njoftojë se administrata Biden po përgatitet për të finalizuar një marrëveshje që do të siguronte Europën këtë dimër e deri në pranverë.
Ata deklaruan se kanë plan ta bëjnë këtë duke dërguar cisterna me gaz të lëngshëm (LNG) në Europë.
Por nga do të vinin këto rezerva?
Sipas The Guardian, fokusi kryesor i amerikanëve është Katari – një nga prodhuesit më të mëdhenj të gazit në botë dhe eksportuesi i dytë më i madh i gazit të lëngshëm, pas Australisë.
Libia mund të jetë një tjetër opsion.
Në fakt, përpjekjet e SHBA për ta bërë Europën të pavarur nga gazi rus kanë nisur që prej disa muajsh.
Por pyetja qëndron këtu: a do të arrijnë amerikanët të gjejnë sasinë e mjaftueshme të gazit për të ngrohur të gjithë Europën?
Zyrtarë amerikanë kanë deklaruar se janë duke negociuar me shumë kompani dhe shtete të shpërndara në të gjithë botën, dhe se zgjidhja e këtij problemi me shumë siguri, nuk do të vij nga një vend i vetëm por nga një sërë burimesh.
Problemi qëndron se Katari prodhon rreth 77 milionë tonë gaz të lëngshëm në vit, dhe shumica e tij është kontraktuar tashmë në shtete të ndryshme, sidomos në Azi.
Por po shihet mundësia që për shkak të temperaturave më të buta gjatë dimrit në kontinentin aziatik, disa sasi të porositura atje mund të devijohen për në Europë.
Se sa do ta arrijë Amerika këtë mbetet për t’u parë, por diçka është e sigurt – SHBA ka kohë që kërkon të gjejë një alternativë që do ta shpëtonte Europën nga ‘varësia’ e saj ndaj gazit të Putin.