“The Sun” raporton se ka siguruar një dokument të qeverisë britanike për lehtësimin e masave shtrënguese kundër koronavirusit, mes të cilave është dhe ajo e punës nga shtëpia për personat obezë.
Sipas dokumentit, personat mbipeshë, ashtu si të moshuarit konsiderohen si më të rrezikuarit nga pandemia e koronavirusit dhe për këtë arsye mund të detyrohen të qëndrojnë për më gjatë të mbyllur në shtëpitë e tyre.
Kompanitë, në këtë mënyrë, duhet të gjejnë një mënyrë që këta persona të rrezikuar më shumë nga virusi të qëndrojnë në shtëpi gjatë pandemisë. Sipas statistikave tre në dhjetë të rritur në Britani janë klinikisht obezë, një nga shifrat më të larta në botën perëndimore.
Shkencëtarët besojnë se pacientët obezë janë më të rrezikuar nga Covid-19 për shkak se sistemi i tyre imunitar është më i dobët.
Një ditë më parë sekretari britanik i Shëndetit, Matt Hanckok deklaroi se mund të ketë një lidhje mes obezitetit dhe impaktit të Covid-19.