SPAK merr të pandehur deputetin Plarent Ndreca.
Përmes avokatit të tij, Ermal Yzeiraj, SPAK i ka komunikuar akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera”.
Ndreca akuzohet për abuzim me një tender për rikonstruksionin e 4 komisariateve gjatë kohës që mbante pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.
Ka qenë Kontrolli i Lartë i Shtetit që ka bërë një kallëzim për këtë me pretendimin se gjatë një tenderi për rikontruksionin e 4 komisariateve në rang vendi ka pasur abuzime dhe “fryrje” të kostove.
Bëhet fjalë për komisariatin e Mirditës, Vlorës, Pogradecit dhe atij numër 4 në kryeqytet.
Gjatë asaj kohe KLSH në auditin që ka kryer thotë se ka pasur një rritje të paargumentuar të vlerës së kostos të ndërtimit. Kjo procedurë tenderimi është kryer në kohën kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Sandër Lleshaj. Ky i fundit ka dhënë shpjegime po ashtu në SPAK lidhur me këtë çështje.
Ndreca u betua si deputet në Kuvendin e Shqipërisë në Janar të këtij viti, ku zëvendësoi Arben Ahmetajn. Aktualisht, ai është edhe nënkryetar i Komisionit Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi.