Michel Platini nuk flet për titullin në Serie A. Ish-futbollisti i Juventusit, i intervistuar nga edicioni i sotëm i “Gazzetta dello Sport”, nuk thellohet në objektivat e mundshëm të bardhezinjve të Thiago Motta: “Qetësohuni, edhe një fëmijë dëshiron gjithmonë të fitojë, por nxitimi nuk është i mirë në futbollin profesionist.
E di që 4 vite pa titull janë shumë te Juventusi, por kjo ndodhi edhe pas meje. Juventusi e kuptoi se nuk mund të konkurrojë me Realin, City, PSG-në. Ata nuk kanë mjetet financiare të arabëve dhe të pronarëve të tjerë të klubeve, kështu që duhet të krijojnë një kolektiv të madh sot. Drejtorët sportivë janë po aq të rëndësishëm sa trajnerët.
Vlahovic? Fati i qendërsulmuesve është një, siç ndodhi me Trezeguet. Nëse shënon, je fenomen, nëse nuk shënon, të kritikojnë”.
Duke analizuar skuadrat e tjera në kampionatin italian, Platini u ndal te një trajner që i pëlqen shumë: “Conte, trajner i shkëlqyer. E di që Napoli e filloi keq, por lëreni të punojnë”.
Një mendim edhe për Paulo Fonseca, që kësaj vere u ul në stolin e Milanit: “Ai ishte te Lille, luajti futboll të mirë, modern, sulmues, si të gjithë trajnerët sot”.
Interi nga ana tjetër është gjithmonë favorit në Itali, me trajnerin Simone Inzaghi. Legjenda e futbollit francez shtoi: “Nëse fiton, je më i forti. Interi është një ekip i mirë, por miqtë e Juventusit më thonë se kanë shumë borxhe”.
Platini foli për Kenan Yildiz: “Numri 10? Nëse ia dhanë dhe ai e donte, do të thotë se ka personalitet. I uroj gjithë të mirat atij dhe Juventusit. Të bëhët një 10 si unë, një nga ata që shpikin në fushën e lojës. Ai është i frymëzuar nga Bellingham, nga Messi, nga Zidane, nuk mund të them për veten time, sepse nuk më ka parë”.
Për Juventusin e ri: “Thiago Motta është një njohës i mirë i futbollit. Kudo që ka shkuar ka bërë mirë. Është e drejtë të përqendrohesh tek ai. Atij i pëlqen futbolli sulmues dhe spektakolar, është trajneri i duhur për të menaxhuar këtë tranzicion të Juventusit dhe nisur një cikël fitues të ri”.
Së fundi, për mesfushorin e ri Thuram: “Te Nice ishte elegant, me një fizik të shkëlqyer, teknikë të mirë dhe vlera që i përcjell nga babai i tij Lilian. Rabiot? Lojtar i bukur, fizik dhe teknik, por cikli i tij te Juventusi kishte përfunduar. Për Pogba nuk di çfarë të them, ai ishte një imazh i bukur, të gjithë e donin. Duke e parë nga larg situatën e tij është mëkat dhe dhimbje e madhe”.