Vetëm 38% e votuesve britanikë kërkojnë qëndrimin e Theresa May në krye të ekzekutivit, ndërsa numri i zgjedhësve që ngrenë zërin për largimin e saj është më i madh, 49%.
Problemet, megjithatë, kryeministrja britanike nuk i ka vetëm me opinionin publik. Zërat kundër saj janë të fortë edhe brenda vet partisë konservatore.
Një aleat i ngushtë i Sekretarit të Jashtëm, Boris Johnson, citohet nga shtypi vendas të pohojë se janë shtuar përpjekjet për vendosjen e tij në krye të qeverisë.
“Na duhet Boris”, mësohet të ketë thënë ai. “Na duhet një njeri i Brexit-it, dikush që mund të flasë e të lidhet me njerëzit, ashtu siç bën Jeremy Corbyn. Dikush që ta bëjë Britaninë të besojë sërish te vetja”.
Megjithatë, mbështetësit e Johnsonit tregohen të kujdesshëm të sqarojnë se ai nuk do të ndërmarrë asnjë veprim, për sa kohë May vazhdon të qëndrojë në “Downing Street”.
Por fakti që aleatët e tij janë vënë në lëvizje mund të konsiderohet destabilizues. Fjalët e një përpjekjeje lidershipi të Johnsonit nisën të qarkullojnë pas goditjes që May mori nga dorëheqja e dy këshilltarëve të “Downing Street”, të fajësuar për disfatën në zgjedhje, si dhe sondazhi i së dielës, i cili tregoi se gjysma e votuesve nuk e duan më në drejtimin e qeverisë.
May duket e vendosur të qeverisë, edhe pse e ka humbur shumicën parlamentare, por kjo nuk ka për të qenë e lehtë. Së pari ajo nuk ka më një mandat të fortë. Si koalicioni, ashtu edhe qeveria e pakicës që kërkon të krijojë me unionistët janë të pazakonta në Britaninë e Madhe.
Cameron e tentoi me liberaldemokratët në vitin 2010, ama rezultoi një dështim. May ka humbur ndërkohë mbështetje brenda vet partisë së saj, e për ekspertët, me “Brexit”-in ajo vetëm mund të humbasë.