Policia ka dhënë detaje për plagosjen e 31-vjeçarit Marklen Haka këtë të mërkurë të 8 qershorit në Fushë Krujë.
I riu ka mbetur i plagosur si pasojë e një atentati me armë zjarri të ndodhur në Fushë Krujë dhe ka marrë një plumb në fytyrë.
Burimet policore thanë se ai është dërguar në spitalin e Traumës në kryeqytet dhe për momentin ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe po vijon krehja e zonës, me qëllim kapjen e autorit.
Marklen Haka njihet si anëtar i bandës së Niklës.
Në vitin 2019, ai i shpëtoi atentatit me 100 plumba, gjatë të cilit mbeti e vrarë halla e tij, Shpresa Basha.
Asokohe i riu kishte vetëm dy muaj që ishte liruar nga burgu.
Grupi hetimor tha në 2019 se ngjarja ndodhi për motive hakmarrjeje.
***
Arrestimi për vrasje në vitin 2011
Marklen Haka u arrestua për herë të parë më 29 qershor të vitit 2011, i dyshuar nga Prokuroria e Tiranës si autori i vrasjes së biznesmenit Nadien Zeneli, mbrëmjen e 13 qershorit të po atij viti, në një nga baret tek ish-Blloku në kryeqytet.
I shoqëruar pas ngjarjes, i arrestuari Marklen Haka ka mohuar vrasjen dhe ka pohuar se nuk ka qenë në Tiranë ditën e ngjarjes.
“Më ka marrë Policia më datë 14 qershor. I thanë nja dy vajzave aty: ‘A është ky ai personi?’. Ato thanë: ‘Jo, se ai (autori) kishte mjekër’. Tani s’e di unë, jam dakord me çfarë tha avokati dhe nuk kam gjë për të shtuar”, u shpreh Haka gjatë seancës 8 vite më parë.
Megjithatë, Haka u la i lirë pas disa muajsh, pasi nuk u arrit t’i faktohej vepra penale, për të cilën ishte arrestuar.