“La Repubblica” ka zhvilluar një intervistë me Patrice Evra, ku është pyetur ndër të tjera edhe për shkakun e largimit të papritur nga Juventusi të mikut të tij, Cristiano Ronaldo. Ish-futbollisti francez u përgjigj: “Sepse Cristiano ka nevojë për dashuri dhe respekt. Ai e kuptoi se në Torino po bëhej ‘kokë turku’ për rezultatet e pakënaqshme të Juventusit.
Shumë harrojnë se fitimi i Serie A është një sfidë çdo vit. Nëse pyet presidentin Agnelli, qëllimi i vërtetë i Juventusit çdo vit (për të) është gjithmonë të triumfojë në Serie A, jo në Champions. Kritikat ndaj Ronaldos në Itali kanë qenë qesharake, madje edhe pak hipokrite“. Më pas patën peshën e tyre edhe fjalët e Allegrit në konferencën për shtyp, kur tha se ‘Cristiano nuk do t’i luajë të gjitha ndeshjet’.
Nuk ka nevojë t’i thuash disa gjëra publikisht, thuajini privatisht. Cristiano i ndjen shumë këto gjëra dhe ndikohet prej tyre. Me pak fjalë, Ronaldo kishte frikë të konsiderohej fajtori i parë për dështimet te Juventusi. Për më tepër, edhe pse ka luajtur për Real Madridin dhe Juventusin, dashuria e vetme e vërtetë e tij është Manchester United”, tha Evra.
Pse u kthye në “Old Trafford”? “Ngaqë vetëm aty gjeti respektin dhe dashurinë që kërkon. Në Manchester nuk do t’ia lejonte vetes askush ta kritikonte atë, ndryshe nga çfarë i ndodhi te Juventusi. Kjo ishte vendimtare për lamtumirën e tij. Pra, sapo pati mundësinë të rikthehej te Manchester United, nuk u mendua dy herë. Juve duhet ta kishte kuptuar se Cristiano kërkon dashuri dhe respekt. Kur i merr ato, Cristiano jep jetën për ty”, shpjegoi Evra.
Në intervistën e dhënë për Repubblica, ish-mbrojtësi i Juventus ka folur për trajnerin livornez.
Massimiliano Allegri të masakron me punë, por e bën me buzëqeshje, thotë Evra.
“Ka një nuhatje të pabesueshme, më shumë se Ferguson. Një herë parashikoi se një ndeshje me Dortmundin do të ishte si një miqësore, dhe na bërtiste para ndeshjes me Genoa-n”, ka thënë francezi.
“Kështu është Allegri, i fiksuar me skuadrat e vogla, por nuk shqetësohet për ndeshjet e mëdha”.
Në lidhje me lamtumirën nga Juventus: “Chiellini është akoma i zemëruar me mua, donte që ta mbyllja karrierën te bardhezinjtë”.