Një 42-vjeçar është arrestuar nga Policia e Vlorës pasi është kapur në flagrancë duke përgatitur doza kokainë me qëllim shitjen e tyre në lokalet e natës në Himarë
Pas një hetimi me metoda proaktive për një periudhë trejavore, me mbështetjen edhe të Forcës së posaçme “Shqiponja”, është finalizuar operacioni policor i koduar “Parts 21”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi: M.A., 42 vjeç, banues në Vlorë.
Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe procedurale, si dhe dokumentimit me pamje filmike, të kryera gjatë hetimit proaktiv, ka rezultuar se shtetasi M. A. kishte siguruar një ambient (servis makinash) në fshatin Qeparo, ku pasi siguronte lëndën narkotike kokainë, e ndante atë në doza për ta shitur më pas kryesisht në lokalet e natës në Himarë.
Gjatë operacionit u bë shpallja në kërkim dhe vijon puna intensive për kapjen e shtetasit B. Ç., 37 vjeç, banues në Qeparo, pronar i servisit të makinave, i cili ia kishte lënë këtë ambient në dispozicion 42-vjeçarit, për të përgatitur lëndën narkotike si dhe e ndihmonte atë me shpërndarjen, duke iu shmangur kontrolleve të Policisë.
Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike kokainë, një peshore elektronike, dy aparate celularë dhe një automjet tip “Benz”.
Punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.