Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur Kryeministrit Edi Rama, i cili nga Vlora e ka akuzuar se ka bllokuar projektin të ashtuquajtur “Lungomare 2”. Në një deklaratë të zëdhënësit të Presidentit thuhet se në mënyrë të përsëritur kanë kërkuar informacion mbi arsyet pse nuk është respektuar procedura kushtetuese dhe ligjore lidhur me këtë projekt.
“Është tashmë e qartë se, Kryeministri ende në detyrë synon, që në shkeljet e rënda për këtë marrëveshje, të përfshijë dhe Presidentin e Republikës, me qëllim, që këtë model antikushtetutshmërie, ta përdorë edhe në praktika të tjera të ngjashme, që Qeveria ka në proces”, theksohet në deklaratën e zëdhënësit.
Më tej thuhet se Presidenti “është i vendosur dhe nuk do të tolerojë në asnjë rast shkeljen e Kushtetutës”.
Në fund deklarohet se Presidenti Ilir Meta nuk dot lejojë “Kryeministrit ende në detyrë, që të shpërdorojë fondet shtetërore për qëllime selektive elektorale”.
Gjatë paradites Kryeministri Edi Rama ka hedhur akuza kundër Ilir Metës duke thënë se po bllokon projektin “Lungomare 2”.